Operacion i bujshëm i SPAK, sekuestrohen qindra prona dhe hotele luksoze
- 3 hours ago
- 1 min read
Hoteli luksoz “Zig Zag” në Jalë është sekuestruar nga SPAK si pjesë e një operacioni të gjerë ndaj një grupi kriminal të dyshuar për pastrim parash dhe investime në pasuri të paluajtshme.
Struktura turistike me 5 yje, e ndërtuar në faqen e kodrës në zonën bregdetare të Jalës, përfshin rreth 200 dhoma dhe konsiderohet një nga investimet më të mëdha hoteliere në këtë zonë. Sekuestrimi i tij vjen si pjesë e goditjes së një rrjeti pasurish të dyshuara me origjinë nga aktivitetet kriminale.
Sipas të dhënave paraprake, hotele, vila luksoze dhe prona të ndryshme në zona të ndryshme të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Lezhën, Shkodrën, Dhërmiun dhe Sarandën, janë përfshirë në listën e pasurive të sekuestruara.
Në total, bëhet fjalë për 491 pasuri të sekuestruara, me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro, si pjesë e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas SPAK, grupi kriminal dyshohet se drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, ndërsa si një nga figurat kyçe në skemën e pastrimit të parave përmendet edhe Isa Aliu.
Ndaj disa prej të përfshirëve janë lëshuar masa sigurie “arrest me burg”, përfshirë Nikoll Bibaj, Sokol Bibaj, Armando Pacani, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu dhe Shpëtim Aliu.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të zgjerojnë më tej verifikimet mbi rrjetin e investimeve dhe burimin e fondeve të dyshuara kriminale.
“KORÇA BOOM”

















