Panik: Dy të rritur tentojnë të marrin me forcë një 17-vjeçar
- 2 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen nr. 3 në Pogradec, ku dy shtetas tentuan të merrnin me forcë një 17-vjeçar, duke ushtruar dhunë fizike dhe duke e dëmtuar me mjet prerës.
Sipas policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë nisur drejt adresës së dhënë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u identifikuan shtetasit M. Xh., 33 vjeç, dhe A. H., 32 vjeç, të cilët ishin larguar nga vendngjarja me automjet. Ata u kapën në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas dhe u ndaluan.
Hetimet paraprake tregojnë se të dy autorët kishin tentuar të merrnin me forcë në automjet 17-vjeçarin, me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, dhe kishin ushtruar dhunë fizike duke e dëmtuar me një mjet prerës. I riu mori mjekim dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve, M. Xh. dhe A. H. u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçë, për veprime të mëtejshme.
“KORÇA BOOM”
















