Panik në Përmet, tre qytetarë humbin në të njëjtin aks rrugor
- Korca Boom
- Nov 7, 2025
- 1 min read
Një ngjarje e pazakontë po trondit qytetin e Përmetit, ku tre persona janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë në të njëjtën zonë rrugore, duke krijuar panik dhe mister në komunitet.
Rasti më i fundit është ai i Agron Çumanit, i cili është parë për herë të fundit tre ditë më parë në segmentin e vjetër të rrugës Përmet–Lëshicë. Që prej asaj dite, familjarët nuk kanë marrë asnjë informacion mbi fatin e tij.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për mungesën e hetimeve të plota dhe kërkojnë transparencë nga autoritetet, duke theksuar se zhdukjet po përsëriten në të njëjtën zonë, pa asnjë shpjegim të qartë.
Në të njëjtin aks rrugor janë raportuar më parë edhe dy raste të tjera zhdukjeje, ato të Niko Dhimitrit dhe Filip Kristidhit, të cilët nuk janë gjetur prej më shumë se dy vitesh. Këto ngjarje të njëpasnjëshme kanë shtuar ndjenjën e pasigurisë dhe kanë nxitur lindjen e shumë teorive mes banorëve.
Një nga pistat e përfolura është ajo e mundësisë që personat të kenë rënë në lumin Vjosë, por deri më tani nuk ka asnjë provë konkrete që ta mbështesë këtë version. Kërkimet e deritanishme nuk kanë dhënë asnjë rezultat, ndërsa frika në komunitet po rritet çdo ditë.
Banorët e Përmetit i bëjnë thirrje autoriteteve që të thellojnë hetimet dhe të zbardhin këtë “fenomen misterioz” që, siç thonë ata, po përsëritet çdo vit, duke lënë pas vetëm pasiguri, frikë dhe dyshime të shumta.
"KORCA BOOM"



















