Parlamenti merr vendimin e papritur, kryeministrit i hiqet imuniteti
Parlamenti hungarez i ka hequr imunitetin kryeministrit dhe kreut të partisë TISZA, Peter Magyar, duke i hapur rrugë hetimit ndaj tij për një incident të ndodhur në Budapest në vitin 2024.
Vendimi u mor këtë të hënë gjatë një seance të jashtëzakonshme parlamentare, ku imuniteti iu hoq edhe dy deputetëve të tjerë.
Vetë Magyar kishte kërkuar që deputetët të votonin për heqjen e imunitetit të tij. Gjatë fjalës së mbajtur në Parlament, ai kritikoi Prokurorinë e Përgjithshme dhe akuzoi qeveritë e mëparshme për provokime, duke i cilësuar ato si “mafia”.
Çështja ndaj kryeministrit lidhet me një incident të qershorit 2024. Sipas “Hungary Today”, Magyar akuzohet se gjatë një mbrëmjeje në një klub nate në Budapest i mori telefonin një personi dhe më pas e hodhi atë në lumin Danub.
Për këtë ngjarje, ai akuzohet për vjedhjen e një sendi me vlerë të vogël, vepër e parashikuar nga Kodi Penal hungarez.
Magyar i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke e cilësuar çështjen si të motivuar politikisht dhe një “farsë”.
Në vitin 2025, Parlamenti Europian kishte refuzuar kërkesën për heqjen e imunitetit që Magyar gëzonte në atë kohë si eurodeputet. Pas marrjes së detyrës si kryeministër, prokurorët hungarezë kërkuan heqjen e imunitetit të tij nga Parlamenti kombëtar.
Në të njëjtën seancë, deputetët hungarezë votuan edhe për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Kulturës, Balazs Hanko, deputet i FIDESZ, si dhe të deputetit kristiandemokrat Miklos Sesztak.
“KORÇA BOOM”
















