top of page

Tragjedia me 3 shqiptarë të vdekur në Athinë/ Zbardhen shkaqet, gazi rrodhi nga apartamenti i çiftit të moshuar

10 minutes ago
2 min read

Sipas hetimeve, shpërthimi tragjik në Athinë ku humbën jetën tre shqiptarë, u shkaktua nga një rrjedhje gazi që dyshohet se nisi në apartamentin e çiftit të moshuar.


Zbardhen shkaqet e shpërthimit që la pas 6 viktima në Athinë, mes tyre shqiptarët Florida Hoxha, bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, si dhe Eris Çani dhe Florin Hoxha. Hetimet e autoriteteve greke po fokusohen te një rrjedhje gazi natyror që dyshohet se ka nisur nga apartamenti në katin e dytë të ndërtesës në Plaka.


Hetuesit e Drejtorisë së Parandalimit të Krimeve të Zjarrvënies kanë kontrolluar rrjetin qendror të gazit natyror, por nuk kanë konstatuar asnjë rrjedhje. Testet e kryera në trotuar kanë treguar se rrjeti kryesor nuk kishte probleme, duke e orientuar hetimin drejt instalimeve brenda ndërtesës.


Sipas të dhënave të deritanishme, apartamenti në katin e dytë, ku jetonte një çift i moshuar, ishte i vetmi në ndërtesë i lidhur me rrjetin e gazit natyror. Për këtë arsye, hetuesit dyshojnë se pikërisht aty mund të ketë nisur rrjedhja që solli më pas shpërthimin vdekjeprurës.


Në apartament ndodheshin tre pajisje të lidhura me gazin natyror: një sobë, një oxhak dhe një ngrohës uji. Ende nuk është përcaktuar se cila prej tyre mund të ketë shkaktuar rrjedhjen, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar shkakun e saktë.


Shpërthimi në ndërtesën në rrugën Lysikratous ishte jashtëzakonisht i fuqishëm. Përveç shembjes së ndërtesës, vala goditëse shkaktoi dëme edhe në objekte, biznese dhe automjete përreth.


Tragjedia la pas gjashtë viktima. Mes tyre ishin Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, të cilët kishin udhëtuar në Greqi për muajin e mjaltit. Gjithashtu, humbën jetën Eris Çani dhe Florin Hoxha, të cilët prisnin të bëheshin prindër. Dy viktimat e tjera ishin banorë të ndërtesës ku ndodhi shpërthimi.


Ndërkohë, më 27 shtator, familjarët e viktimave mbërritën në Greqi pas kërkesës së autoriteteve kompetente. Ata do të japin material gjenetik për krahasimin e ADN-së, me qëllim përfundimin e procesit të njohjes dhe identifikimit të trupave.


Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi burimin e rrjedhjes së gazit dhe rrethanat që çuan në shpërthimin tragjik./ Protothema.gr

“KORÇA BOOM”


bottom of page