Pas ndarjes nga PS, Marjana Koçeku hedh sfidën e fortë: Shkojmë në zgjedhje!
- 1 hour ago
- 1 min read
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar sërish pas largimit nga Partia Socialiste, duke iu përgjigjur kritikave dhe komenteve që kanë pasuar vendimin e saj për t’u shkëputur nga mazhoranca.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku ka deklaruar se nuk i ka marrë askujt mandatin e deputetit, por ka akuzuar kundërshtarët e saj se për muaj me radhë i kanë mohuar asaj të drejtën për të ushtruar mandatin në mënyrën që e konsideron të drejtë.
“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet”, shkruan ajo.
Më tej, deputetja sfidon hapur mazhorancën, duke kërkuar shpërndarjen e Parlamentit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme për të testuar mbështetjen reale të qytetarëve.
“Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni Parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka”, shprehet Koçeku.
Në reagimin e saj nuk munguan as ironitë. Ajo deklaroi se në një garë të mundshme elektorale në Tiranë do të zbresë me “kecin e saj të shtrenjtë” dhe “kmesën e mprehtë”, ndërsa shtoi me humor se para se të kandidojë në kryeqytet do t’u kërkojë leje malësorëve të saj për të folur gjuhën standarde.
Deklaratat e Koçekut vijnë vetëm dy ditë pasi ajo njoftoi largimin nga Partia Socialiste dhe vendimin për të vijuar mandatin si deputete e pavarur, një lëvizje që ka shkaktuar debat dhe reagime në skenën politike shqiptare.
“KORÇA BOOM”















