Pesë shqiptarë riatdhesohen nga Siria, mes tyre gra dhe fëmijë
- 1 hour ago
- 2 min read
Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë, janë riatdhesuar nga Siria në Shqipëri. Ata mbërritën në Tiranë pak pas mesnatës së 26 gushtit, pas një operacioni të realizuar përmes koordinimit mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike e konsullore dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.
Pas kthimit në vend, pesë shtetasit do t’u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe vlerësimeve psikosociale. Në vijim, institucionet përgjegjëse do të kujdesen për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, më 26 gusht 2026, përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, nga të cilët gra e fëmijë. Operacioni është kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.
Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse. Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre. Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme falënderon institucionet dhe strukturat shqiptare të angazhuara në këtë proces, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, që mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve. Realizimi i operacionit dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të bashkërenduar në përmbushjen e përgjegjësive të shtetit ndaj qytetarëve të tij”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, procesi i riatdhesimeve nuk konsiderohet i përfunduar. Ministria e Jashtme bën të ditur se Task-Forca ndërinstitucionale do të vazhdojë punën edhe për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Siri, sa herë që të krijohen kushtet për riatdhesimin e tyre të sigurt.
“KORÇA BOOM”
















