Pezullimi i Ballukut/ Kushtetuesja shtyn mbledhjen për javën tjetër
- Korca Boom
- 8 hours ago
- 3 min read
Gjykata Kushtetuese nuk do të ketë sot një vendim për Belinda Ballukun, në lidhje me kërkesën e bërë nga qeveria për të shfuqizuar vendimin e GJKKO që e pezulloi atë nga detyra.
Kolegji, i përbërë nga relatori Sandër Beci, si dhe Sonila Bejtja e Marsida Xhaferllari, pritet të mblidhet javën e ardhshme për të shqyrtuar çështjen e Belinda Ballukut, zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme ka caktuar masat e sigurisë pezullim nga ushtrimi i funksionit dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet javën e ardhshme për çështjen Balluku. Për shkak të hyrjes rishtaz në Kolegj të Marsida Xhaferllarit pas largimit të Holta Zaçaj që i përfundoi mandati mbledhja është shtyrë me kërkesën e saj për shkak njohjes me aktet.
Në Kolegj më herët ishte Olta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, e cila, për shkak të mbarimit të mandatit, u largua dhe u pasua nga Asim Vokshi. Ndaj në Kolegj hyri Marsida Xhaferllari, e cila ushtron dhe detyrën e kryetares derisa të zgjidhet kryetari i ri.
Njoftim për shtyp:
Gjykata, nisur nga interesi mediatik për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, bën me dije si vijon:
Në datën 21.11.2025, në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur kërkesa me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.“.
Kjo çështje për shkak të interesit publik që paraqet është konsideruar nga Gjykata për t’u shqyrtuar me përparësi, sipas praktikës së ndjekur në raste të ngjashme.
Kërkesa është regjistruar me numër 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar në datën 21.11.2025, ora 14.00. Me shortin e po kësaj date, ora 15.00, për shqyrtimin paraprak të kësaj çështjeje është caktuar Kolegji me përbërje gjyqtarët: Holta Zaçaj, kryetare dhe anëtarë Sonila Bejtja dhe Sandër Beci (relator). Paralelisht me këto veprime, Njësia e Shërbimit Ligjor u ngarkua me përgatitjen e akteve paraprake për shqyrtimin e çështjes dhe i ka shpërndarë ato për njohje anëtarëve të kolegjit, i cili kishte planifikuar për të diskutuar këtë çështje në datën 27.11.2025.
Në datën 25.11.2025, ora 10.00, Presidenti i Republikës ka organizuar ceremoninë e betimit të gjyqtarit Asim Vokshi, i cili ka zëvendësuar gjyqtaren Holta Zaçaj që ka përfunduar mandatin e saj.
Në këto kushte, në datën 25.11.2025, Kolegji i caktuar për shqyrtimin e çështjes mbeti i paplotë në përbërje të tij. Të nesërmen, më 26.11.2025, ora 11.00, Mbledhja e Gjyqtarëve ka vendosur plotësimin e kolegjit me gjyqtaren Marsida Xhaferllari.
Kolegji u mblodh ditën e sotme sipas planifikimit. Me kërkesë të gjyqtares Marsida Xhaferllari, e cila kishte marrë njoftim për aktet pasditen e datës 26.11.2025 dhe në përputhje me nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore, i cili parashikon se gjyqtarët duhet të kenë në dispozicion kërkesën dhe aktet e kërkesës të paktën dy ditë përpara mbledhjes së Kolegjit, u caktua që shqyrtimi i çështjes do të bëhet nga Kolegji ditën e parë të punës, pas festave zyrtare të nëntorit, konkretisht në datën 02.12.2025.
Vendimmarrja e Kolegjit do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese./ Vna.al
“KORÇA BOOM”



















