top of page

Pjesëmarrje e ulët në votimin për kreun e PD-së në Korçë/ Vetëm 100 anëtarë kanë votuar në 3 orë

5 hours ago
1 min read

Pjesëmarrje e ulët është shënuar në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës së Partisë Demokratike në Korçë. Edhe pse në listën zyrtare janë rreth 4800 anëtarë me të drejtë vote, interesi për të marrë pjesë në këto zgjedhje duket i kufizuar. Deri më tani, pas rreth tre orësh nga hapja e procesit, kanë votuar vetëm rreth 100 anëtarë.


Ky proces zgjedhor vjen pas shtyrjes së zgjedhjeve të mëparshme për shkak të incidenteve të regjistruara në selinë e PD-së në Korçë. Në garën e parë për drejtimin e degës ishin kandidatë Harito Zoto dhe Irvin Bode, por procesi u shoqërua me tensione, ndërprerje të herëpashershme të votimit dhe incidente, të cilat sollën pamundësinë e vijimit normal të tij. Për këtë arsye, zgjedhjet u shtynë për një datë tjetër.


Në procesin e sotëm, gara zhvillohet mes Harito Zotos dhe Mikel Dishnicës, ndërsa Irvin Bode është tërhequr nga kandidimi. Anëtarët e Partisë Demokratike në Korçë do të përcaktojnë përmes votës se kush do të marrë drejtimin e degës lokale.


Pavarësisht numrit të konsiderueshëm të anëtarëve në listën e votuesve, pjesëmarrja e regjistruar në orët e para mbetet e ulët. Procesi i votimit vijon në selinë e Partisë Demokratike në Korçë, ndërsa pritet që në përfundim të tij të shpallet edhe rezultati që do të përcaktojë kryetarin e ri të degës./ CNA

“KORÇA BOOM”


bottom of page