top of page

Plazhet nuk do të jenë më si më parë: Rregulla të reja për sezonin veror

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 10 hours ago
  • 2 min read

Qeveria ka miratuar ndryshime rrënjësore në rregulloren për administrimin e stacioneve të plazhit, duke u dhënë kompetenca të zgjeruara bashkive për kontrollin e çmimeve të shezlongëve dhe duke krijuar një kategori të re plazhesh publike. Vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave ndryshon rregulloren e vitit 2024 dhe vendos rregulla më të rrepta për sezonin e ardhshëm veror.


Një nga risitë kryesore është zgjerimi i hartës zyrtare të turizmit, ku për herë të parë përfshihen edhe lumenjtë, përveç plazheve detare dhe liqeneve. Kjo do të thotë se rregullat e reja të administrimit do të aplikohen edhe në këto zona.


Çmime tavan për shezlongët


Për herë të parë, Këshillat Bashkiakë do të kenë të drejtën të miratojnë çmime tavan për përdorimin e shezlongëve përpara nisjes së sezonit turistik. Bashkitë mund të përcaktojnë çmimet maksimale për çdo zonë bregdetare, të cilat do të jenë detyruese për subjektet private.


Në rast se Këshilli Bashkiak nuk merr një vendim, çmimi maksimal do të përcaktohet përmes negociatave mes bashkisë dhe subjektit privat në momentin e lidhjes së kontratës. Sipas vendimit, këto çmime bëhen pjesë përbërëse e kontratës dhe nuk mund të tejkalohen gjatë gjithë sezonit, ndërsa shkelja e tyre përbën shkak për zgjidhjen e kontratës.


Kategori e re: Plazh publik me pagesë, i administruar nga bashkia


Vendimi krijon një kategori të re administrimi, “Plazh publik i tarifuar nga Njësia e Vetëqeverisjes Vendore”. Këto plazhe do të administrohen drejtpërdrejt nga bashkitë ose ndërmarrjet e tyre publike dhe do të jenë me pagesë për pushuesit, por me standarde të garantuara sigurie dhe higjiene.


Rregullorja ndalon që këto zona t’u jepen privatëve, duke mos lejuar kontraktimin apo delegimin e administrimit te palë të treta, me qëllim shmangien e abuzimeve me hapësirat publike.


Kufizime për investitorët strategjikë dhe kontroll i zhurmave


Ndryshime të rëndësishme prekin edhe investitorët strategjikë. Ata do të kenë përparësi në marrjen e stacioneve të plazhit, por e drejta e përdorimit do të nisë vetëm pasi hoteli ose resorti të jetë vënë realisht në funksion. Kjo masë synon të ndalojë zaptimin e plazheve nga kantiere ndërtimi apo projekte të papërfunduara.


Paralelisht, bashkitë detyrohen të hartojnë dhe publikojnë hartat e zhurmave për secilin plazh përpara nisjes së sezonit veror.


Përjashtime për disa zona specifike


Vendimi parashikon përjashtime për disa zona të veçanta, ku subjektet mund të kenë stacione plazhi deri në 50 çadra edhe pa pasur strukturë hoteliere, por vetëm bar ose restorant. Këto zona përfshijnë ndër të tjera: Zvërnecin, Plazhin e Vjetër në Vlorë, Spillen, Vilë-Bashtovën, Gjirin e Lalzit, Currilat, Porto-Romanon, Borshin, Llamanin, Lukovën dhe Rrjollin në Shkodër.


Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe ngarkon Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit me monitorimin e zbatimit të tij në të gjithë territorin.

"KORCA BOOM"


bottom of page