top of page

Po patrullonte pranë pikës kufitare Morinë, humb jetën efektivi i policisë pasi u përplas nga një makinë

  • 5 hours ago
  • 1 min read

Një efektiv i Policisë së Kosovës ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e sotëm, pasi u përplas nga një automjet në afërsi të pikës kufitare në Vërmicë, në Morinë.


Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:40, në kohën kur zyrtari policor po patrullonte në këmbë pranë pikës kufitare. Në momentin që ka tentuar të kalojë rrugën, ai është goditur nga një automjet që po lëvizte në drejtimin Prizren–Vërmicë.


Viktima është identifikuar si R.G., 59 vjeç, zyrtar policor, i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e përplasjes së fortë.


Në vendngjarje kanë mbërritur prokurori kujdestar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor të Prizrenit dhe ekipi i emergjencës, të cilët kanë konfirmuar vdekjen e 59-vjeçarit.


Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi shqiptar me inicialet D.D., është ndaluar për 48 orë.


Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page