top of page

“Po ta kisha ditur, nuk do ta kisha bërë”, Demalia zbulon çfarë nuk dinte për Osman Stafën

8 minutes ago
1 min read

Dy ditë pas përplasjes publike me gazetarin Osman Stafa, Ilir Demalia ka bërë një hap pas dhe i ka kërkuar ndjesë për fyerjet personale të përdorura gjatë debatit mes tyre.


Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demalia shprehet se është penduar veçanërisht për epitetin “qeros”, duke sqaruar se në momentin kur përdori këtë fjalë nuk ishte në dijeni se gazetari kishte kaluar një sëmundje, si pasojë e së cilës kishte humbur flokët.


Ai pranon se ka gabuar dhe thekson se sëmundja apo vuajtjet personale të një njeriu nuk duhet të bëhen kurrë objekt ironie apo fyerjeje.


Përplasja mes tyre nisi pas një deklarate të Demalisë në një emision televiziv, ku me nota humori pretendoi se Osman Stafa kishte ambicie për t'u bërë kryebashkiak i Tiranës ose i Cërrikut.


Gazetari reagoi duke mohuar pretendimet dhe duke iu përgjigjur se Demalia, nëse dëshironte të bënte humor në kurrizin e tij, fillimisht duhej të mos gënjente.


Pas këtij shkëmbimi replikash, situata u përshkallëzua me fyerje dhe etiketime personale, për të cilat tashmë Demalia ka kërkuar falje publikisht.


Megjithatë, në reagimin e tij ai bën një dallim mes ndjesës personale dhe qëndrimeve profesionale e politike. Demalia thekson se nuk tërhiqet nga kritikat ndaj mënyrës se si Osman Stafa ushtron gazetarinë, raportimeve dhe pozicionimeve të tij publike.


Pra, ndjesa lidhet vetëm me fyerjet personale, ndërsa përplasja mes tyre në planin mediatik dhe profesional duket se mbetet ende e hapur.

“KORÇA BOOM”


bottom of page