Polonia në ankth: Shqipëria dhe më pas Ukraina apo Suedia, një rrugë drejt ëndrrës së Botërorit
- Korca Boom
- 9 hours ago
- 1 min read
Presidenti i Federatës Polake të Futbollit, Çezari Kulesza, ka komentuar shortin e Polonisë në Play-Off-in e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, duke pranuar se rruga drejt turneut është e vështirë dhe se mund të kishte qenë edhe më e lehtë.
Kombëtarja polake e mbylli fazën e grupeve në vendin e dytë në Grupin G dhe tashmë do të përballet në pranverë me ndeshjet eliminatore. Skuadra e drejtuar nga Jan Urban fillimisht do të luajë ndaj Shqipërisë dhe, nëse fiton, në ndeshjen vendimtare do të përballet me Ukrainën ose Suedinë.
Kulesza nuk e mohoi se shorti mund të kishte qenë më i favorshëm, por theksoi se synimi final nuk ndryshon: Kualifikimi.
“Është e vështirë të thuash nëse fati ishte në anën tonë. Ndoshta kishte rrugë më të buta, por shorti është ky që është. Duhet t’i fitojmë këto ndeshje. Askush nuk do të na japë një biletë falas për në Kupën e Botës,” u shpreh ai.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Polonisë nuk e përjashtoi as mundësinë që një finale e mundshme ndaj Ukrainës të luhet në Poloni, duke shtuar se të gjitha skenarët mbeten të hapur.
Për Poloninë, rruga drejt “USA 2026” nuk do të jetë e thjeshtë, por brenda ekipit mbretëron bindja se kualifikimi është i arritshëm.
"KORCA BOOM"



















