top of page

Prokuroria dërgon për gjykim autorin e vrasjes së 14-vjeçarit në Pirg dhe tre persona të tjerë që penguan hetimet

  • Mar 19
  • 2 min read

Prokuroria pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim disa shtetas të përfshirë në ngjarjen tragjike të ndodhur më 14 gusht 2025, ku humbi jetën i mituri Erald Xhejo, 14 vjeç.


Ngjarja ndodhi në ambientet e jashtme të lokalit “Amar” në fshatin Pirg, kur viktima u konfliktua fizikisht me një tjetër të mitur, Enedio Guri. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë treguan qartë momentin kur autori e godet viktimën me thikë, duke i shkaktuar plagën fatale.


Viktima u transportua në gjendje të rëndë në Spitali Rajonal i Korçës, por nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të marra në kraharor.


Hetimet zbuluan gjithashtu se babai i autorit, Edison Guri, nuk ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe së bashku me Roland Gurin dhe Flori Çelën ka tentuar të manipulojë provat dhe të fshehë thikën e krimit.


Prokuroria ka kërkuar dërgimin në gjyq të:


  • Enedio Guri (i mitur) për “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”;


  • Edison Guri (babai) për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;


  • Roland Guri për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Moskallëzim i krimit” dhe “Përkrahja e autorit në krim”;


  • Flori Çela për “Moskallëzim i krimit” dhe “Përkrahja e autorit në krim”.


Si ndodhi ngjarja


Grindja mes dy adoleshentëve thuhet se ka nisur për arsye banale. Një ditë më parë, Enedio Guri kishte shkuar pranë lokalit të xhaxhait të viktimës, duke xhiruar dhe dëmtuar gomat e automjetit të Xhejos.


Ditën e ngjarjes, 14-vjeçari ishte duke ecur për tu qethur në berberhane pranë lokalit, kur autori e ka ndjekur me makinë dhe ka nisur një sherr verbal. Kur konflikti u intensifikua, Enedio Guri nxori një thikë dhe e goditi viktimën në zemër, pavarësisht se 14-vjeçari kishte tentuar të mbrohej me një karrige.


Ngjarja ka tronditur komunitetin e fshatit Pirg dhe ka nxitur reagime të forta për nevojën e sigurisë dhe mbrojtjes së të miturve në ambiente publike. Hetimet dhe procedimet gjyqësore vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“KORÇA BOOM”


bottom of page