top of page

Protesta e 28 shkurtit, SPAK merr në shqyrtim edhe një deputet

  • 6 hours ago
  • 2 min read

Në lidhje me protestën e zhvilluar më 28.02.2026, në orën 18:00, të thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ka vijuar veprimet hetimore dhe procedurale, duke arrestuar katër shtetas.


Në pranga kanë përfunduar L. M., 20 vjeç, R. D., 33 vjeç, D. R., 21 vjeç dhe S. R., 36 vjeç, të dyshuar për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.


Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë protestës këta shtetas kanë ushtruar akte dhune, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të forcave të rendit dhe të Vilës 31, në momentin kur brenda ndodheshin shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime në godinë, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosur nga Bashkia Tiranë.


Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar molotovë dhe lëndë piroteknike, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.


Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë një i mitur 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.


Materialet janë referuar në Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar edhe për shtetasin K. B., me detyrë deputet, për shkelje të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.


Ndërkohë, janë administruar pamje filmike nga protesta dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

"KORCA BOOM"


bottom of page