top of page

Protesta e opozitës, sprova e parë e Berishës pas 11 majit; çfarë pritet të ndodhë sot

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 4 min read

Në varësi të pjesëmarrjes, duket se do të vendoset edhe skenari që opozita do të përdorë për vazhdimësinë e protestave, sa të shpeshta do të jenë ato, dhe sa rezistente do të jenë në kuptimin e kohëzgjatjes...


Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvillojnë sot protestën e parë kombëtare që pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit. Kreu demokrat Sali Berisha shpalli datën e mbajtjes së protestës mes presioneve të brendshme, ku shumë anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe drejtues të strukturave, i kërkuan një reagim në shkallë kombëtare, pas skandaleve që përfshinë qeverinë e Edi Ramës.


Berisha nisi me disa protesta të vogla të përjavshme që i pagëzoi si “foltore qytetare-parlamentare”, ku deputetët e opozitës dhe individë të ndryshëm merrnin fjalën dhe jepnin mesazhet e tyre.


Ky format protestash ishte i përjavshëm, deri në momentin kur anëtari i Kryesisë së PD-së, Ervin Salianji, nisi një lëvizje në PD, që edhe ai i pagëzoi si “foltore” me anëtarët e kësaj partie, ndërsa kërkonte ashpërsimin e reagimeve nga lidershipi demokrat kundrejt Edi Ramës.


Berisha disa herë kishte paralajmëruar nisjen e një vale protestash, por asnjëherë nuk dha një datë se kur do të nisnin ato.


Rreth 10 ditë më parë, Berisha deklaroi se protesta do të mbahej më 22 dhjetor, para Kryeministrisë, duke njoftuar se kjo do të ishte e para e një serie protestash që do të ndaleshin vetëm kur të rrëzohej Edi Rama nga posti i Kryeministrit.


Në funksion të organizimit të protestës, Berisha zhvilloi mbledhje të njëpasnjëshme me Kryesinë, Grupin Parlamentar dhe Këshillin Kombëtar të PD-së, dhe paralelisht ka zhvilluar takime me demokratët në disa nga degët e kësaj partie.


Protesta e sotme e opozitës do të nisë në orën 18:00, ndërsa nuk dihet se sa do të zgjasë ajo. Po kështu nga demokratët po mbahen sekret detajet e mënyrës se si do të zhvillohet protesta, e cila nga Berisha është përkufizuar si revoltë. Nuk dihet nëse kësaj proteste do i bashkohet edhe Adriatik Lapaj, i cili ka nisur një protestë prej dy javësh para Kryeministrisë, ndërsa herë pas here ka pasur edhe përplasje mes mbështetësve të ‘Shqipëria Bëhet’ dhe Policisë. Berisha ka vlerësuar protestën e Lapajt, ndërsa një ftesë për t’iu bashkuar tubimit kombëtar të thirrur nga demokratët, mësohet se i është dhënë edhe atij.


Çfarë synon dhe çfarë pritet nga protesta


Sipas deklaratave zyrtare të PD-së, protesta synon të shprehë pakënaqësinë qytetare ndaj qeverisë dhe të kërkojë ndryshime konkrete në mënyrën e qeverisjes.


Organizatorët theksojnë se fokusi do të jetë te skandalet e qeverisë, çështje ekonomike dhe sociale, largimi i të rinjve nga vendi, funksionimi i drejtësisë dhe shkelja e standardeve demokratike.


Nga ana tjetër, pritet një mobilizim i gjerë i strukturave të opozitës nga mbarë vendi, çka mund ta kthejë protestën në një test force për PD-në.


Pjesëmarrja do të shihet si tregues i mbështetjes popullore dhe i aftësisë së saj për të kanalizuar pakënaqësitë sociale në veprim politik.


Institucionet e sigurisë kanë deklaruar se do të garantojnë rendin, ndërsa janë bërë thirrje që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të shmangur përshkallëzime që mund të dëmtojnë imazhin e protestës dhe të thellojnë ndarjet politike.


Protesta e parë kombëtare e PD-së, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, pritet të ketë ndikim si në diskursin politik afatshkurtër, ashtu edhe në pozicionimin e opozitës përballë zhvillimeve të ardhshme.


Mbetet për t’u parë nëse ajo do të shkaktojë një presion real për ndryshim apo do të mbetet kryesisht një akt simbolik në skenën politike shqiptare.


Organizimi


Qytetarët pritet të mblidhen fillimisht në selinë e PD-së, nga ku më pas do të tubohen në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Sali Berisha mund t’i bashkohet protestuesve duke u nisur nga banesa e tij, disa metra larg godinës së qeverisë, atje ku do të vendoset një podium i madh, ku priten në mbahen fjalime të shumta.


Qytetarë, figura të njohura dhe më pas deputetë dhe drejtues të partive opozitare, pritet të japin mesazhet e tyre, në varësi të të cilave mund të ketë një precipitim të situatës.


Nga degët kryesore të PD-së në rrethe pritet të organizohen grupe mbështetësish të opozitës që do të vijnë drejt kryeqytetit, ndërsa peshën kryesore të pjesëmarrjes pritet ta ketë Tirana dhe Kamza, që konsiderohen edhe degët më të mëdha të opozitës. Po kështu degëve të qyteteve të afërta në distancë me Tiranën, si Elbasani dhe Durrësi, u është kërkuar një angazhim maksimal për të sjellë drejt kryeqytetit sa më shumë mbështetës, çka duket se sprova më e fortë sot e demokratëve do të jetë pjesëmarrja në protestë.

Në varësi të pjesëmarrjes, duket se do të vendoset edhe skenari që opozita do të përdorë për vazhdimësinë e protestave, sa të shpeshta do të jenë ato, dhe sa rezistente do të jenë në kuptimin e kohëzgjatjes.


Zakonisht protestat e thirrura nga PD në periudha të ndryshme kanë zgjatur 4 ose 5 orë, duke krijuar edhe kaos, për shkak se janë aplikuar forma të mosbindjes civile. Por pas 11 majit, nga fjalori politik i Berishës është fshirë nocioni i mosbindjes civile dhe formave të saj, që në fakt kur janë përdorur nuk i kanë dhënë asnjë rezultat.


Deri më tani, Berisha dhe shumë nga figurat e PD-së nuk i kanë dhënë rëndësi pjesëmarrjes së qytetarëve në protestat apo foltoret e organizuara.


Masat e policisë


Në anën tjetër, Policia pritet të angazhojë deri në 1300 forca policore, përfshi edhe njësi të forcave RENEA dhe Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa vija e parë për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë do të jetë punonjësit e rolit bazë të policisë, si dhe efektivë të Shqiponjave.


Nga raportimet mësohet se forcat policore do të stacionohen në zonën pranë Kryeministrisë dhe godinës së Kryesisë së Kuvendit, por edhe në oborrin e brendshëm të Parlamentit, atje ku mbahen seancat plenare. Nga eksperiencat e mëparshme, forcat e stacionuara pranë institucioneve, ndërhyjnë vetëm në rastet kur ka një precipitim të situatës, apo kur policët e rolit bazë, do të sulmohen nga turmat.


Përdorimi i flakadanëve apo molotovëve që mund të përdoren nga protestuesit mund të tensionojnë situatën dhe çojnë në përplasje me forcat e rendit, çka është një skenar që duket se përfshihet edhe në masat e policisë, duke angazhuar një numër të lartë uniformash blu. /Pamfleti/

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page