Protestat studentore, Policia u dërgon urdhër komisariateve: të respektohen të drejtat e të miturve
Policia e Shtetit ka nxjerrë një shkresë urgjente drejtuar komisariateve të Tiranës dhe strukturave policore në Krujë, duke kërkuar zbatimin e masave ligjore për mbrojtjen e të drejtave të të miturve të përfshirë në procedurat policore, në kuadër të protestave të fundit studentore.
Në dokumentin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, drejtuar komisariateve nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7, theksohet detyrimi për respektimin e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur dhe të legjislacionit në fuqi.
Një nga pikat kryesore të shkresës lidhet me identifikimin e efektivëve gjatë ushtrimit të detyrës. Policia kërkon që punonjësit të jenë të identifikueshëm përmes numrit përkatës, ndërsa edhe automjetet policore duhet të kenë identifikimin e nevojshëm gjatë operacioneve.
Udhëzimi vë theksin edhe te trajtimi i të miturve të shoqëruar në polici, duke kërkuar bashkëpunim me strukturat përgjegjëse për të shmangur mbajtjen e tyre për periudha të panevojshme dhe për të respektuar afatet ligjore.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe kontrollit të telefonave celularë. Sipas shkresës, këto veprime duhet të kryhen në përputhje me kërkesat ligjore dhe, kur ligji e parashikon, vetëm me urdhër gjyqësor. Edhe kërkesat për përgjim duhet të mbështeten në bazën ligjore përkatëse.
Për çdo procedurë që përfshin të mitur, duhet të garantohen gjithashtu të drejtat e tyre, përfshirë praninë e prindit ose kujdestarit ligjor dhe të psikologut, sipas parashikimeve ligjore. Para nisjes së marrjes në pyetje, duhet të plotësohet edhe formulari për informimin e të miturit mbi të drejtat që i garantohen.
Shkresa kërkon gjithashtu mbajtjen e një regjistri të veçantë për rastet që përfshijnë të mitur, si dhe dokumentimin e plotë të të dhënave në regjistrat e shoqërimit në polici.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës gjatë operacioneve policore, në përputhje me rregullat ligjore.
Përmes këtij udhëzimi, drejtuesit e Policisë së Shtetit kërkojnë që të gjitha strukturat të zbatojnë masat e përcaktuara nga ligji, me qëllim garantimin e të drejtave të të miturve dhe zhvillimin e veprimeve policore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“KORÇA BOOM”
















