“Zëri ynë duhet të dëgjohet edhe në Parlament”, studentja flet për lëvizjen e të rinjve
Iris Kola, 20 vjeçe, studente e Arkitekturës dhe Planifikimit të Peizazhit, ka lënë pas studimet për t'iu bashkuar protestave, duke u bërë pjesë e lëvizjes së të rinjve që kërkojnë ndryshime në vend.
Në një prononcim për mediat, ajo shpjegon se arsyet që i kanë nxjerrë studentët në shesh shkojnë përtej kushteve në auditorë. Sipas saj, shqetësimet lidhen me tregun e punës, gjendjen e spitaleve dhe emigrimin, ndërsa një tjetër problem mbetet mentaliteti që, sipas saj, i shtyn të rinjtë të kërkojnë një të ardhme jashtë Shqipërisë.
“Do të isha më mirë sesa jashtë në vendin tim, ky mentalitet duhet të ndryshojë. Të protestosh pesë muaj nuk është aspak e lehtë”, shprehet Kola.
Ajo kujton se protesta paqësore e nisur në qershor, e njohur si protesta e flamingove, me kalimin e kohës u shndërrua në një qëndresë dhe më pas në revoltë. Sipas saj, pas më shumë se 130 ditësh protestë, të rinjtë ndihen të shpërfillur nga politika.
“Protesta e qershorit ishte e flaktë, më pas u kthye në një qëndresë. Por protesta tani është më shumë një revoltë, sepse në 130 ditë protestë ne u bëmë edhe objekt talljeje për qeveritarët. Ndërsa tani nuk ka më fjalë, por vetëm veprime”, deklaron studentja.
Nëse në fillim kërkesat e protestuesve lidhen me shfuqizimin e ligjeve që, sipas tyre, cenonin natyrën, sot kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e kabinetit qeveritar.
“Dorëheqje të kabinetit qeveritar. Ministria e Arsimit duhet të ishte e para që të dorëhiqej, pasi auditorët i ka bosh dhe studentët i ka të lyer me gjak”, shprehet Kola.
Pavarësisht se deri më tani studentët nuk kanë prezantuar një lider të vetëm që i përfaqëson, ajo thotë se lëvizja është organizuar në mënyrë spontane, me të rinjtë që ndajnë detyrat mes tyre. Sipas saj, disa kujdesen për ndihmën e të lënduarve, të tjerë qëndrojnë në vijën e parë të protestës, ndërsa pjesa tjetër merret me organizimin.
“Studentët protestojnë me zërin dhe forcën. Ne jemi të organizuar: dikush merret me mjekimin, dikush tjetër është te vija e parë e revoltës, dikush siguron gurët. Është e organizuar dhe ka ardhur krejtësisht organike”, thotë ajo.
Kola sheh te lëvizja studentore në Serbi një shembull që, sipas saj, mund të frymëzojë edhe të rinjtë shqiptarë. Ajo beson se studentët duhet të ndërtojnë një lëvizje të pavarur politike, pa përfshirjen e partive apo organizatave të tjera, në mënyrë që zëri i tyre të përfaqësohet nesër edhe në Parlament.
“Studentët e fituan dhe është një lëvizje që edhe në Shqipëri duhet të fillojë për studentët dhe nga studentët, pa përfshirjen e politikës, OJF-ve apo OJQ-ve”, shprehet studentja.
Në fund, Iris Kola përcjell një mesazh për të gjithë të rinjtë që vijojnë të protestojnë: të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë qëndresën, me bindjen se mund t'ia dalin.
“KORÇA BOOM”
















