Pse u largua Vladimir Gjoni nga Devolli? Flet Ermir Lukra, zbulon prapaskenat e ndarjes
Devolli ka një trajner të ri në pankinë. Pas largimit të Vladimir Gjonit, drejtuesit e klubit kanë vendosur t’ia besojnë drejtimin e skuadrës Adriatik Faslliut, i cili ka nisur prej disa seancash stërvitore punën me ekipin në prag të ndeshjes së radhës.
Largimi i Gjonit pas vetëm dy javëve të para të kampionatit ngriti pikëpyetje mbi arsyet e këtij vendimi. Për të sqaruar situatën, “Korca Boom” kontaktoi drejtuesin e klubit, Ermir Lukra, i cili tregoi se si ishte komunikuar largimi i trajnerit.
“Para disa ditësh, trajneri ka kryer një vizitë mjekësore në kryeqytet dhe më pas në drejtimin tonë ka mbërritur një telefonatë nga trajneri, i cili na ka njoftuar se nuk ishte në gjendje të vazhdonte të drejtonte ekipin. Nuk dua të paragjykoj, por e vlerësoj punën e trajnerit Gjoni dhe i uroj suksese dhe shëndet të mirë kudo që të jetë”, u shpreh Ermir Lukra.
Ndërkohë, tashmë është përcaktuar edhe emri i trajnerit të ri. Adriatik Faslliu ka marrë drejtimin e Devollit dhe ka nisur punën me skuadrën për përgatitjen e ndeshjes së radhës.
Lidhur me këtë zgjedhje, Lukra bëri të ditur se Faslliu ishte një emër me të cilin klubi kishte zhvilluar bisedime edhe përpara nisjes së sezonit, por në atë kohë marrëveshja nuk u realizua për arsye objektive.
“Në fakt, ne kemi qenë në bisedime me këtë trajner para fillimit të sezonit, por kishte arsye objektive që nuk u realizua në atë moment. Ja, ndodhi tani dhe i uroj suksese në punën e re”, deklaroi Lukra.
Kështu, Devolli nis një kapitull të ri në pankinë me Adriatik Faslliun, ndërsa drejtuesit e klubit shpresojnë që skuadra të vijojë përgatitjet dhe të përqendrohet te sfidat e radhës në kampionat.
“KORÇA BOOM”
















