Pushime në Brazil, por mendjen te Skënderbeu? Ramos zbulon planet...
- 3 hours ago
- 1 min read
Qendërmbrojtësi brazilian Marko Ramos, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Skënderbeu gjatë sezonit të fundit, ndodhet aktualisht në vendlindjen e tij në Brazil, ku po kalon pushimet pranë familjes.
Ashtu si pjesa më e madhe e skuadrës korçare, edhe Ramos ka përfituar nga fundi i sezonit për t’u rikthyer në shtëpi, por ndërkohë ka nisur të flitet edhe për të ardhmen e tij sportive.
Mësohet se mbrojtësi është ende nën kontratë me klubin korçar edhe për sezonin e ri, ndërsa gjithçka tregon se ai do të jetë sërish pjesë e bardhekuqve.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se gjatë largimit të skuadrës për pushime ka pasur edhe bisedime mes futbollistit dhe drejtuesve të klubit, ku braziliani ka marrë garanci për vazhdimësinë e projektit dhe rolin e tij në ekip.
Sipas informacioneve të siguruara nga "Korça Boom", vetë lojtari ka konfirmuar se do të vijojë të jetë pjesë e Skënderbeu edhe në sezonin e ardhshëm, duke i dhënë kështu qetësi stafit teknik dhe tifozëve korçarë.
“KORÇA BOOM”
















