top of page

Përplasja për Lasgush Poradecin, Bashkia Pogradec thyen heshtjen dhe jep sqarime të detajuara për akuzat publike

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 54 minutes ago
  • 3 min read

Bashkia Pogradec ka reaguar zyrtarisht pas deklaratave të Marie Gusho, vajzës së poetit të madh Lasgush Poradeci, të bëra në një intervistë televizive në Top Channel, ku ajo ngriti akuza ndaj institucionit vendor lidhur me trajtimin e figurës dhe trashëgimisë së të atit.


Në reagimin e saj, Bashkia Pogradec sqaron se aktiviteti që do të zhvillohet në qytetin e Grazit në Austri, për vendosjen e një pllake përkujtimore në banesën ku Lasgush Poradeci ka jetuar për rreth dhjetë vite, nuk organizohet nga ky institucion. Sipas bashkisë, organizatori i vetëm i eventit është Ambasada Shqiptare në Austri, ndërsa Bashkia Pogradec është e ftuar zyrtarisht për të marrë pjesë.


Megjithatë, pas reagimit publik të Marie Gusho, ku u përmend edhe Bashkia Pogradec, institucioni vendor deklaron se i ka ofruar asaj mbështetje të plotë për pjesëmarrjen në aktivitet, pavarësisht se nuk është organizator. Kjo mbështetje, sipas bashkisë, është refuzuar.


Në lidhje me akuzat për ndryshimin e emrit të Pallatit të Kulturës në Pogradec, Bashkia sqaron se që prej vitit 1988, kjo godinë mban emrin Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”, emër i vendosur në një ceremoni ku ka marrë pjesë edhe shkrimtari Ismail Kadare. Ky emërtim, thekson bashkia, nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe vazhdon të jetë i njëjtë edhe sot.


Sa i përket qendrës multifunksionale të përmendur nga Marie Gusho, Bashkia shpjegon se ajo është krijuar për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, artistike, sportive dhe promovuese, duke pasur në varësi Qendrën Kulturore dhe Drejtorinë Sportive, por pa ndryshuar emrin e Pallatit të Kulturës apo të Qendrës Kulturore.


Bashkia Pogradec ka reaguar gjithashtu edhe ndaj akuzave për fatura false dhe përhapje të lajmeve të pavërteta në media. Sipas saj, shoqëria QMP sh.a. funksionon në përputhje të plotë me legjislacionin për shoqëritë aksionere me kapital shtetëror dhe është subjekt i kontrollit të vazhdueshëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Institucioni sqaron se bilancet financiare dorëzohen çdo vit dhe përgatiten nga kontabilistë të licencuar, ndërsa që prej krijimit të shoqërisë në vitin 2022 nuk është konstatuar asnjë shkelje apo dëm ekonomik. Po ashtu, administratori i shoqërisë është subjekt i kontrollit nga ILDKPKI.


Në lidhje me shtëpinë muze të Lasgush Poradecit, Bashkia thekson se banesa është shitur nga vetë trashëgimtarët dhe aktualisht ndodhet në pronësi private. Sipas reagimit, Bashkia Pogradec, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, prej vitesh po punon për të gjetur dakordësinë me pronarët aktualë, me synimin për kthimin e saj në shtëpi muze. Aktualisht, kjo çështje është pjesë e një projekti për rikualifikimin e lagjeve historike, ku përfshihet edhe objekti i muzeut.


Sa i përket restaurimit të shtatoreve të Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, Bashkia bën me dije se ato ishin dëmtuar nga faktorët atmosferikë dhe ishte hartuar një projekt restaurimi në bashkëfinancim me Këshillin e Qarkut Korçë. Sipas institucionit, punimet u realizuan falas pas një vetëofrimi nga profesori Vladimir Llakaj, në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë Pogradec.


Në përfundim, Bashkia Pogradec shprehet se e kupton indinjatën e Marie Gusho lidhur me aktivitetin në Graz, por rithekson se nuk është organizatore e këtij eventi. Për këtë arsye, bashkia deklaron se e ka ftuar atë të bashkohej me delegacionin e saj zyrtar. Institucioni u bën thirrje mediave dhe opinionit publik që të shmangen akuzat e pavërteta dhe dezinformuese, duke theksuar se Bashkia Pogradec ka nderuar vazhdimisht figurën e Lasgush Poradecit përmes aktiviteteve kulturore të shumta ndër vite, ku Marie Gusho ka qenë e ftuar, por ka munguar për arsye personale.

"KORCA BOOM"


bottom of page