Përplasje e fortë mes dy mjeteve, një makinë përfundon në kanal/ Tre të plagosur
- 2 days ago
- 1 min read
Një aksident rrugor me pasoja është regjistruar në Kthesa e Goriçajt, ku dy mjete janë përplasur duke lënë të plagosur tre persona, një prej të cilëve në gjendje më të rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, njëra prej automjeteve ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal me ujë, ndërsa mjeti tjetër, i ngarkuar me fidanë pemësh, ka pësuar dëmtime të shumta në pjesën e përparme si pasojë e përplasjes së fortë.
Të lënduarit janë transportuar me urgjencë , ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Dy prej tyre ndodheshin në mjetin që transportonte fidanë, ndërsa personi i tretë në automjetin që përfundoi në kanal.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, ku një kamion ka tentuar të kryejë kthesë, ndërsa një mjet tjetër ka hyrë në parakalim të gabuar, duke sjellë përplasjen.
Autoritetet vijojnë punën për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të sqaruar dinamikën e plotë të aksidentit.
“KORÇA BOOM”
















