Përshkallëzimi i protestës, Policia paralajmëron pasoja të rënda penale
Policia e Shtetit ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga aktet e dhunës dhe duke paralajmëruar pasoja penale për personat që sulmojnë efektivët apo shkatërrojnë pronën publike dhe private.
Në një reagim zyrtar, Policia thekson se çdo person që ushtron dhunë, djeg ose shkatërron pronën, si dhe sulmon punonjësit e Policisë, do të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet e tij.
Sipas Policisë, Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vite burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.
Autoritetet u kanë bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të largohen nga personat që kryejnë veprime të dhunshme, duke theksuar se akte të tilla rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe sigurinë e pronës.
Reagimi i Policisë vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së 14 tetorit, përpara Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën molotovë, gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të godinës dhe forcave të rendit. Si pasojë, flakët përfshinë disa ambiente të ndërtesës.
Policia nënvizon se e drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen përmes ushtrimit të kësaj të drejte.
“Çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri dhe çdo individ do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
“KORÇA BOOM”















