top of page

Shoqërimi i të riut me këmbën e thyer, pezullohen 5 efektivë/ Hetim edhe për sjelljet e policisë gjatë protestës

19 hours ago
3 min read

Policia e Shtetit nis hetimet për mënyrën e shoqërimit të të riut pranë Parlamentit. Në hetim disiplinor 4 efektivë dhe shefi i Rendit në Komisariatin Nr. 1. Edhe AMP-ja dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për rastin.


Një video e publikuar në media gjatë protestës së sotme në Tiranë, ku shfaqet një 19-vjeçar me këmbë të dëmtuar teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit, ka sjellë reagimin e Policisë së Shtetit dhe pezullimin e pesë punonjësve.


Në pamjet e publikuara, i riu, i identifikuar me inicialet L. B., shfaqet duke u transportuar nga efektivët, të cilët e kanë kapur nga gjymtyrët. Pamjet kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të tij gjatë shoqërimit për në spital, ku do të merrte ndihmë mjekësore.


Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit njofton se ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën e veprimit të punonjësve të saj.


Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, janë pezulluar menjëherë nga detyra katër punonjës policie, si dhe shefi i Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Ndaj tyre ka nisur edhe hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.


Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm për të analizuar të gjitha veprimet e policisë gjatë tubimit, nga fillimi deri në përfundim të tij, si dhe për të verifikuar nëse janë respektuar procedurat standarde të punës.


Për rastin kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në bashkëpunim me Prokurorinë.


Policia e Shtetit deklaron se çdo punonjës që rezulton se ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.


Në të njëjtin reagim, Policia dënon aktet e dhunshme të regjistruara gjatë protestës në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, duke theksuar se ato nuk lidhen me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë.


Autoritetet u kanë bërë thirrje personave që kryejnë akte dhune t'i ndalin ato, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të distancohen nga personat e dhunshëm për të shmangur rrezikun.


Rrethanat e plota të shoqërimit të 19-vjeçarit dhe përgjegjësia e punonjësve të përfshirë pritet të sqarohen nga hetimet në vijim.


Reagim i Policisë së Shtetit


Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.


Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.


Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.


Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.


Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.


Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.


Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.

“KORÇA BOOM”


bottom of page