Përshtatën ambientet me qera për lojëra fati, shpallen në kërkim dy të rinj
- 1 day ago
- 2 min read
Policia e Kavajës ka shpallur në kërkim dy të rinj pasi zbuloi dy ambiente të përshtatura për zhvillimin e lojërave të fatit në zona të ndryshme të qytetit. Dyshohet se një 26-vjeçar dhe një 20-vjeçar i kishin marrë hapësirat me qira dhe i përdornin për këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Gjatë kontrolleve në lagjen nr. 6 dhe lagjen nr. 1 në Kavajë, efektivët konstatuan se ambientet ishin përshtatur për lojëra fati me makineta. Në total u gjetën dhe u sekuestruan 16 pajisje, të cilat shërbenin për zhvillimin e këtij aktiviteti.
Njëri prej tyre, 26 vjeç, dyshohet se administronte ambientin në lagjen nr. 6 ku u gjetën 5 makineta, ndërsa 20-vjeçari lidhet me ambientin në lagjen nr. 1 ku u sekuestruan 11 të tilla.
Autoritetet vijojnë punën për lokalizimin dhe ndalimin e dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e hetimeve.
"Operacioni u zhvillua pas informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Zbulohen në Kavajë dy ambiente të përshtatura për lojëra fati me makineta.
Shpallen në kërkim dy shtetas, të cilët kishin marrë me qira dy ambientet ku u gjetën dhe u sekuestruan pajisjet e lojërave të fatit.
Sekuestrohen 16 makineta që shërbenin për zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Pas informacioneve të mbërritura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe finalizimit të operacioneve në Kurbin, Milot e Tiranë për përshtatje të ambienteve për zhvillimin e lojërave të fatit me makineta, një tjetër informacion ka ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për dy ambiente në dy lagje të qytetit të Kavajës, që ishin përshtatur për lojëra fati.
Bazuar në këtë informacion, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Fati i Lojërave”.
Gjatë operacionit u zbuluan 2 ambiente në lagjen nr. 6 dhe lagjen nr. 1, në Kavajë, të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në vijim të veprimeve procedurale u shpallën në kërkim shtetasit:
K. C., 26 vjeç, pasi në lagjen nr. 6, Kavajë, në një ambient të marrë me qira prej tij, u gjetën dhe u sekuestruan 5 makina për lojëra fati;
K. Ç., 20 vjeç, pasi në lagjen nr. 1, Kavajë, në një ambient të marrë me qira prej tij, u gjetën dhe u sekuestruan 11 makina për lojëra fati.
Po punohet për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë dhe profesional", njofton policia.
“KORÇA BOOM”
















