Qeveria ndryshon skemën, pagesat e mësuesve sipas numrit të nxënësve
- 1 day ago
- 2 min read
Qeveria e Kosovës ka ndryshuar këtë vit mënyrën e financimit të grantit për arsim, duke vendosur që numri i mësimdhënësve të financohet në bazë të numrit të nxënësve dhe jo vetëm sipas listave të pagave të dorëzuara nga komunat.
Bekim Salihu nga Instituti GAP, në një intervistë në “EURO n’T7”, ka thënë se deri në vitin 2026 Ministria e Financave e ka marrë si të mirëqenë numrin e punonjësve të paraqitur në listat e pagave të komunave. Sipas tij, këtë vit qasja ka ndryshuar dhe as Ministria e Arsimit dhe as Ministria e Financave nuk po i konsiderojnë automatikisht të sakta listat e dërguara nga komunat.
Salihu ka shpjeguar se kjo çështje ishte përcaktuar që në vitin 2013 përmes Udhëzimit Administrativ 22/13, i cili parashikonte që numri i mësimdhënësve të ishte në përputhje me numrin e nxënësve. Megjithatë, sipas tij, vetëm 13 vite më vonë Qeveria ka vendosur që kjo formulë të zbatohet në praktikë.
Sipas rregullores, në komunat e mëdha një mësimdhënës duhet të mbulojë mesatarisht 21 nxënës, ndërsa në komunat e vogla raporti është një mësimdhënës për 17 nxënës.
Duke u bazuar në këtë formulë, Instituti GAP ka bërë një vlerësim për vitin 2026 dhe ka konstatuar se komunat aktualisht kanë në punë rreth 3,101 mësimdhënës më shumë sesa nevojat reale të përcaktuara nga numri i nxënësve.
Salihu e ka lidhur këtë situatë me rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve në Kosovë.
Sipas të dhënave të prezantuara nga ai, që nga viti 2010 numri i nxënësve është ulur me rreth 160 mijë, ndërsa vetëm gjatë periudhës 2020–2026 rënia ka qenë rreth 30 mijë nxënës.
Pavarësisht kësaj rënieje, sipas hulumtimit të GAP-it, numri i mësimdhënësve dhe në përgjithësi i stafit në disa komuna ka vijuar të rritet.
Ky ndryshim në mënyrën e financimit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në grantin për arsim dhe në planifikimin e stafit në komunat e Kosovës, pasi financimi do të lidhet më ngushtë me numrin real të nxënësve dhe nevojat për mësimdhënës.
Sipas GAP-it, zbatimi i kësaj formule synon të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes numrit të nxënësve, numrit të mësimdhënësve dhe fondeve që ndahen për arsimin në nivel komunal.
“KORÇA BOOM”
















