top of page

Rama flet për protestat: “I kuptoj, kam reflektuar”

  • 20 hours ago
  • 2 min read

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit në vend, duke deklaruar se i kupton qytetarët dhe se ka reflektuar mbi arsyet që i kanë nxjerrë ata në rrugë.


Në një intervistë të dhënë nga Tirana për televizionin britanik “Channel 4”, Rama u shpreh se protestat nuk lidhen domosdoshmërisht me faktet, por me pritshmëritë gjithnjë e më të larta të qytetarëve.


“Kam reflektuar shumë mbi këtë protestë dhe kam arritur në përfundimin se për njerëzit nuk bëhet fjalë për faktet, dhe me të drejtë, por për pritshmëritë më të larta që i nxjerrin në rrugë. Kjo nuk është diçka e keqe. Është e mrekullueshme. Prandaj thashë se është fantastike. Kështu që i kuptoj”, u shpreh kryeministri.


I pyetur se si ndihet kur protestuesit ndodhen prej afro 60 ditësh jashtë zyrës së tij, Rama tha se kjo tregon se vendi ka bërë përparim në raport me të kaluarën.


“Është diçka e mrekullueshme për vendin, për shoqërinë, sepse në të njëjtin bulevard, jo shumë kohë më parë, rreth 15 vite më parë, njerëz u vranë me plumba të vërtetë ndërsa protestonin paqësisht. Për mua protesta e qershorit, jo kjo e tanishmja, ishte njëkohësisht një konfirmim se vendi është në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë”, deklaroi ai.


Gjatë intervistës, gazetarja e pyeti gjithashtu nëse protestat e kanë bërë të rishqyrtojë politikat e qeverisë, veçanërisht ato që lidhen me projektin në Sazan dhe Zvërnec, nga ku nisën reagimet publike për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin në habitatet natyrore, përfshirë ato të flamingove.


Në përgjigje, Rama reagoi duke pyetur: “Cilat politika?”, pa dhënë një koment të mëtejshëm mbi projektin.

“KORÇA BOOM”


bottom of page