Rama i përgjigjet motrës së Erjonit: “Në Romë e dërgoi shteti, jo persona të tjerë”
Përplasja e deklaratave mes familjarëve të Erjon Vishkullit dhe kryeministrit Edi Rama për financimin e trajtimit të 28-vjeçarit në Itali vijon, pas reagimit të fundit të kreut të qeverisë.
Pas deklaratës së motrës së të riut, e cila pretendoi se dërgimi i vëllait të saj në Itali ishte mundësuar nga familja, miqtë dhe mbështetësit e tyre, Rama ka reaguar përmes një statusi, duke kundërshtuar këtë version.
Kryeministri këmbëngul se iniciativa për trajtimin e specializuar të të riut në Romë është marrë prej tij personalisht dhe se transporti me avion mjekësor, si dhe shpenzimet e trajtimit, janë mbuluar nga shteti.
Në reagimin e tij, Rama bën me dije gjithashtu se e ka takuar Erjonin dhe vëllain e tij në sallën VIP të aeroportit, përpara nisjes së tyre drejt Italisë.
“Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë ‘persona’, po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!”, shkruan kryeministri.
Më tej, Rama mohon se reagimi i tij ka për qëllim të marrë protagonizmin e ngjarjes, duke e lidhur ndërhyrjen me përgjegjësinë për të ndihmuar qytetarët e lënduar, pavarësisht rrethanave në të cilat janë dëmtuar.
“Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar”, përfundon Rama.
Erjon Vishkulli u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë dhe është dërguar në Romë për trajtim të specializuar.
Deri më tani, familjarët dhe kryeministri kanë paraqitur versione të ndryshme lidhur me rolin e shtetit dhe të personave të tjerë në organizimin dhe financimin e transferimit. Deklaratat e publikuara nuk e sqarojnë tërësisht ndarjen e kontributeve financiare, ndërsa trajtimi shëndetësor i të riut mbetet në qendër të vëmendjes.
“KORÇA BOOM”
















