Rama kërkoi largimin e tij nga forumet e PS-së, vjen reagimi i fortë i Plarent Ndrecës
Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar pas zhvillimeve në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku kryeministri Edi Rama kërkoi përjashtimin e tij dhe të Elisa Spiropalit nga forumet drejtuese të partisë.
Në një prononcim për mediat, Ndreca u shpreh se nuk ka dijeni se çfarë është diskutuar gjatë mbledhjes, pasi nuk është anëtar i Asamblesë Kombëtare.
Ai theksoi se përjashtimi nga Partia Socialiste nuk mund të bëhet mbi bazën e vullnetit apo vlerësimit subjektiv të individëve, pavarësisht funksionit që ata mbajnë.
Sipas tij, çdo vendim i tillë duhet të mbështetet në Statutin e PS-së, të respektojë procedurat përkatëse dhe të bazohet në shkaqe konkrete, të cilat duhet të provohen.
“Përjashtimi është një proces statutor, që kërkon respektimin e procedurave të përcaktuara në Statut, ekzistencën e shkaqeve konkrete statutore dhe provimin e tyre”, deklaroi Ndreca.
Kujtojmë se gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Edi Rama kërkoi që Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca të mos ishin më pjesë e forumeve drejtuese të partisë.
Kërkesa nuk u hodh në votim, ndërsa kundër kësaj mase u shprehën Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko.
Pas mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, sqaroi se Spiropali dhe Ndreca nuk do të jenë më pjesë e forumeve të partisë, por do të mbeten anëtarë të saj.
“KORÇA BOOM”
















