Lamtumirë mësuese Fatushe!
LAMTUMIRË, MËSUESE FATUSHE!
Ditën e sotme, u nda nga jeta mësuesja e nderuar Fatushe Isai Starova.
Një emër i respektuar i arsimit dhe kulturës në Pogradec.
Mësuese Fatushe, u lind në vitin 1926 në Elbasan, qytetin ku kreu Shkollën Normale. Ajo e nisi rrugëtimin në arsim fillimisht në Burrel dhe e vijoi në Pogradec, ku krijoi familjen me mësuesin e muzikës Tomorr Starova.
Për shumë vite shërbeu me përkushtim në arsimin fillor, në lëndën e Ekonomisë Shtëpiake duke u mësuar brezave të vajzave gatimin, qëndisjen e rrobaqepësinë si dhe në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, ku kontribuoi në përgatitjen e shfaqjeve artistike.
Me punën dhe fisnikërinë e saj, ajo fitoi respektin e brezave të tërë nxënësish, prindërish e kolegësh.
Zyra Vendore Arsimore Pogradec i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Starova, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan. Kujtimi i saj do të mbetet i paharruar në historinë e arsimit të qytetit tonë.
U prehsh në paqe, mësuese Fatushe!
“KORÇA BOOM”
















