top of page

Lajmi i fundit nga SPAK, mbyllen hetimet për Ballukun, dosja shkon në GJKKO

8 hours ago
2 min read

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka njoftuar përfundimin e hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Dosja pritet të dërgohet këtë të hënë për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).


Gjatë një takimi me gazetarët, ku ishin të pranishëm edhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, Braho bëri të ditur se procedura hetimore ka përfunduar.


“Ju njoftoj për mbylljen e hetimeve për Belinda Ballukun dhe ju bëj me dije se sot çështja do të dërgohet në gjykatë. Vlerësojmë se kjo mënyrë komunikimi i shërben më mirë informimit të publikut”, deklaroi Braho.


Kreu i SPAK theksoi se akuzat e ngritura përfaqësojnë pretendimet e organit të akuzës dhe se do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë provat. Ai nënvizoi gjithashtu se çdo person gëzon prezumimin e pafajësisë.


Braho komentoi edhe vendimin e Kuvendit për të mos dhënë autorizimin e kërkuar nga SPAK, duke bërë të ditur se, pavarësisht këtij zhvillimi, hetimet janë thelluar dhe ndaj çështjes janë shtuar edhe tri akuza të tjera.


“Qëndrimi ynë është që kërkesa jonë duhet të ishte pranuar”, u shpreh kreu i SPAK.

Ndërkohë, prokurori Dritan Prençi mohoi të ketë pasur presione gjatë ushtrimit të detyrës, qoftë të drejtpërdrejta apo të tërthorta.


“Nuk kam pasur asnjë presion direkt apo indirekt. Kam ushtruar detyrën shumë i qetë”, deklaroi ai.


Gjatë takimit, prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko shpjeguan gjithashtu akuzat dhe rolin që dyshohet se kanë pasur 28 të pandehurit në këtë çështje.


Në vijim pritet që SPAK të publikojë në faqen zyrtare njoftimin e zgjeruar për shtyp, ku do të jepen më shumë detaje mbi përfundimin e hetimeve dhe akuzat e paraqitura në dosje.

“KORÇA BOOM”


bottom of page