top of page

Rama u përgjigjet kritikëve: "Në PS nuk ka regjim, të gjithë do të dëgjohen"

  • 7 hours ago
  • 1 min read

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debateve dhe kundërshtimeve që kanë shoqëruar propozimin për reformën territoriale, duke theksuar se procesi është ende në fazën e konsultimit publik dhe se çdo mendim do të dëgjohet.


Përmes një reagimi publik, kreu i qeverisë ironizoi kritikat dhe zërat që flasin për pakënaqësi brenda Partisë Socialiste, duke i cilësuar ato si një "qarje halli" dhe një "agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat".


Rama theksoi se, përveç rastit të djegies së teserave të PS, të cilin e cilësoi si një akt të turpshëm, si edhe ndonjë reagimi individual të deputetëve, gjithçka tjetër është normale dhe madje e mirëpritur në një proces konsultimi.


Sipas tij, dokumenti i reformës ndodhet në periudhën 60-ditore të konsultimit publik, çka do të thotë se qytetarët, bashkitë dhe të gjitha palët e interesuara kanë të drejtë të shprehin lirisht qëndrimet e tyre.


Kryeministri nënvizoi gjithashtu se ligji u jep të drejtë kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë të paraqesin me shkrim qëndrimet e tyre, ndërsa protestat paqësore janë të pranueshme për sa kohë nuk cenojnë rendin publik dhe nuk pengojnë jetën e qytetarëve.


Në reagimin e tij, Rama hodhi poshtë edhe pretendimet se në Shqipëri apo në Partinë Socialiste ekziston një regjim, duke garantuar se askush nuk do të pengohet të japë mendimin e tij për reformën.


Ai shtoi se gjatë 60 ditëve të konsultimit do të shpjegohen më gjerësisht arsyet që kanë çuar në propozimet për ndarjen e re administrative, duke theksuar se argumente që lidhen me traditat historike, reputacionin e zonave apo ngjarje të së kaluarës nuk mund të shërbejnë si bazë për vendimmarrje në këtë proces.

“KORÇA BOOM”


bottom of page