Reagon deputeti Fidel Kreka: Mbledhja e Këshillit Bashkiak, mbledhje turpi
- Korca Boom
- Jul 21, 2025
- 1 min read
Reagimi i deputetit, Fidel Kreka:
"Sot, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Korçës, u miratua në mënyrë klienteliste dhe të turpshme një projekt i mbështjellë me mashtrime dhe interesa të errëta, i ashtuquajturi “rijetëzim” i stadiumit Skënderbeu. Kjo është një maskaradë që flet për grabitje, për mungesë transparence dhe për një shkelje flagrante të interesit qytetar.
Kush ju dha të drejtën të vendosni për pasuritë publike pa pyetur qytetarët? Asnjë dëgjesë, asnjë konsultim, asnjë transparencë, asnjë shpjegim se çfarë do të ndodhë realisht me truallin rreth stadiumit.
Sipas interesave klienteliste që i dikton nga lart Niko Peleshi dhe që i zbaton verbërisht Sotiraq Filo, e dimë të gjithë se si përfundojnë këto projekte: me kulla, beton, dhe klientelizëm, ndërsa Korça dhe qytetarët e saj zhyten në mjerim dhe varfëri. Kjo është skema që po përsëritet, e njëjta dorë, e njëjta mendësi, i njëjti krim politik dhe moral mbi këtë qytet.
Unë nuk bëhem pjesë e kësaj bande votuesish që sot ngritën dorën për të shitur edhe pak nga ajo që ka mbetur publike. Ju që votuat pro, jeni pjesë e një akti të turpshëm!"
“KORÇA BOOM”



















