top of page

Rikthehen patrullat në rrugë, tani edhe më intensive

  • 1 hour ago
  • 4 min read

Policia e Shtetit duket se e kuptoi gabimin serioz që bëri me njoftimin e përsëritur publik se kishte vendosur të hiqte patrullat e kontrollit nëpër rrugor e vendit. Fakt është se që nga ditët kur u trumbetua ky njoftim, aksidentet u shtuan frikshëm dhe numri i viktimave ishte disa herë më i lartë se më parë.


U pa qartë se shqiptarët në Shqipëri nuk janë aq të ndërgjegjësuar sa të veprojnë le ndërgjegje dhe jo me frikën e kontrollit policor, ndaj sot, u shpall rikthimi i patrullave, madje më intensive dhe më “të armatosura” se më parë.


Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, doli sot para mediave ku njoftoi anulimin e urdhrit dhe masat e reja.


Ziu tha se me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike, nëpërmjet Drejtorisë së Policisë Rrugore, ka marrë një sërë masash shtesë në funksion të mënyrës së re të monitorimit të qarkullimit rrugor, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.


Në këtë kuadër janë kalibruar 22 mjete shpejtësimatëse, janë pajisur të gjitha strukturat e Policisë Rrugore, me dronë, kamera, aparate fotografike, aparate alkooltestues dhe drogëtestues.


Shërbimet e Policisë në rrugët interurbane, do të vijojnë monitorimin e qarkullimit nëpërmjet pajisjeve logjistike dhe patrullave të lëvizshme dhe shkeljet e konstatuara nga mjetet logjistike do të verbalizohen në masa administrative, të cilat do të pasqyrohen në kohë reale në e-Albania.


Patrullat e Policisë Rrugore në akset nacionale do të ndërhyjnë kur konstatojnë sjellje agresive në rrugë, parakalime të njëpasnjëshme, manovra të gabuara apo shpejtësi dy deri në trefish, të cilat janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.


Njëkohësisht do të bashkëpunohet me Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, me qëllim që shkeljet e konstatuara t’i kalojnë Policisë Rrugore, për të plotësuar masat administrative.


Policia pranon se publiku mori hov nga telegrami


“Nisur nga perceptimi i gabuar në publik, se drejtuesit e mjeteve nuk do të ndalohen nga patrullat, sqarojmë opinionin publik dhe përdoruesit e rrugës se:


Detyrat e vendosura në Telegramin nr. 3707, datë 10.04.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, “Mbi marrjen e masave për garantimin e qarkullimit të pandërprerë të mjeteve”, kanë të bëjnë me mosndalimin e automjeteve në akset rrugore nacionale, pa shkak, duke krijuar imazh të keq


Në akset rrugore nacionale, Patrullat e Policisë Rrugore të monitorojnë qarkullimin dhe të evidentojnë kundërvajtësit rrugorë nëpërmjet pajisjeve teknologjike.


Punonjësit e Policisë, kur evidentojnë dhe dokumentojnë me mjete logjistike, sjellje agresive të drejtuesve të automjeteve, do të veprojnë në zbatim të Kodit Rrugor.


Gjithashtu, të organizojnë pika kontrolli në qendrat urbane, sipas kushteve të sigurisë, në drejtimin e shefave të seksioneve dhe shefave të sektorëve të Policisë Rrugore, sipas planeve të dedikuara me objekt konkret (kontrolle për pije alkoolike, përdorimin e celularëve, kaskave mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve, mjeteve debitore dhe “Alert”, etj.)”, tha Ziu.


Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Çdo sjellje agresive në rrugë apo ndaj punonjësve të Policisë do të ndëshkohet maksimalisht, me të vetmin qëllim: rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.


Për sa i përket qendrave urbane, shërbimet e Policisë do të vijojnë me grupe kontrolli për testet e alkoolit, kontrollet për shpejtësi, parakalimet e gabuara, mosdhënien e përparësisë këmbësorëve, përdorimin e celularit dhe të rripit të sigurimit.


Plan i ri dhe për parkimet e gabuara


Njëkohësisht, parkimet e gabuara do të jenë në qendër të vëmendjes, duke përdorur edhe mjetet ngritëse për parkimet në korsitë e dedikuara, ku bllokohet lëvizja e lirë e automjeteve apo e këmbësorëve.


Ziu tha se sjelljet agresive në rrugë duke shkaktuar aksident me pasojë humbjen e jetës apo plagosjen, janë shumë shqetësuese.


Ai evidentoi se vetëm në muajt e fundit, 82 100 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për shpejtësi mbi normat e lejuara, që varojnë nga 20 km/orë mbi normën e lejuar deri në trefish të normës së lejuar.


815 drejtues automjetesh nuk kanë asnjë pikë në lejen e drejtimit dhe do t’i nënshtrohen testimit nga e para.


27 000 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara, rreth 60 000 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa rrip sigurimi, duke përdorur celularin apo për drejtim motomjeti pa kaskë mbrojtëse.


160 000 masa administrative janë vendosur për parkime të gabuara dhe 85 000 për shkelje të ndryshme.


Sipas statistikave, dallohet qartë se numri më i lartë i aksidenteve me pasojë ka si shkak shpejtësinë dhe më pas vjen sjellja e këmbësorëve, 33% e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash.


Aksidentimi fatal i fëmijëve


Nisur nga rasti i Durrësit, ku një përsëritës i drejtimit të mjetit nën efekt alkooli shkaktoi vdekjen e tmerrshme të dy fëmijëve dhe plagosjen rëndë të një tjetri, Ziu tha sot sr janë evidentuar drejtuesit e automjeteve me shkelje të përsëritura dhe iu është kërkuar strukturave të Policisë Rrugore, që të marrin masa të menjëhershme për monitorimin dhe mbajtjen në kontroll të vazhdueshëm të këtyre drejtuesve, që janë shkelës të përsëritur të rregullave të qarkullimit, me pasojë për jetën dhe shëndetin./ Shqipëria-sot

"KORÇA BOOM"


bottom of page