Sa miliona mori LaCivita? Nis numërimi mbrapsht për Berishën, në shtator duhet të deklarojë kontratën
- Korca Boom
- Aug 16, 2025
- 2 min read
Nga pagesat për LaCivita te kontrata e lobimit, në shtator Berisha duhet të japë llogari për milionat e fushatës...
Vapa duket se po ikën me gushtin dhe shtatori pritet të rikthejë ‘luftën’ politike. Teksa java e parë pritet të tërheqë vëmendjen me përbërjen e qeverisë së re, fokusi më pas duket se do të jetë te Partia Demokratike, e cila ka shumë hesape pa mbyllur lidhur me disfatën në zgjedhje.
Por përtej luftës së brendshme lidhur me fatin politik të Berishës, me shumë interes do të pritet se sa para e pagoi kreu i PD, Chris LaCivita për ta ndihmuar në fushatë.
Ndonëse Berisha për muaj të tërë iu shmang pyetjes se sa i kushtoi strategu amerikan, ora e së vërtetës po afron. Sado që kreu i PD ka devijuar, ligjin nuk e shmang dot, pasi mund të përballet me ndjekje penale.
Kodi Zgjedhor është i qartë: “1. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin raport financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve.
2. Raportet financiare hartohen sipas modeleve të miratuara nga KQZ-ja. Raporti, si rregull, duhet të përmbajë informacion për:
a) çdo dhurim, hua ose kredi që i është dhënë subjektit zgjedhor (duke përfshirë edhe degët dhe kandidatët e tij) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo shërbimet në natyrë;
b) të ardhurat për qëllime të fushatës zgjedhore nga të gjitha burimet e tjera të lejuara;
c) të gjithë zërat e shpenzimeve për qëllime të fushatës zgjedhore, siç përcaktohen në vendimin e KQZ-së dhe në pikën 4 të nenit 92/2 të këtij ligji;
ç) bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve”.
Duke qenë se rezultati final i KQZ-së u certifikua në fund të korrikut, PD duket se ka kohë deri në fund të shtatorit për të bërë deklarimin në KQZ se sa para ka dhënë për strategun e fushatës së Trump. Nëse nuk e bën këtë, SPAK rrezikon ta marrë të pandehur Berishën, njësoj siç bëri me Ilir Metën, i cili fshehu shpenzimet për lobime në SHBA.
Duke qëndruar te kjo pjesë, duket se Berisha po tenton t’i shpëtojë llogaridhënies për kontratën 6 mln dollarë për lobime në SHBA. Ka shumë nga ata që e cilësojnë si një kontratë që duhet të deklarohet në KQZ, sepse ishte për fushatë. Vetë Berisha ka deklaruar se ajo nuk ka lidhje me fushatën, duke dashur të heqë detyrimin e Kodit Zgjedhor.
Berisha kontratën e lobimit e ka shitur si një “dhuratë” nga atdhetarët në SHBA. Ai ka thënë se PD nuk do të paguajë asnjë lekë dhe shpenzimet do të mbulohen nga fondacioni “Make Albania Great Again”. Pra, ai kujdeset t’i shmanget nenit 92/1, i cili e specifikon se nuk lejohen kontribute më shumë se 1 mln lekë.
Do të shohim nëse Berisha do ta deklarojë këtë kontratë. Nëse jo, këtu duket se do të hyjë në lojë SPAK, i cili po heton për kontratën dhe në fund do të tregojë nëse ka shkelje ligjore apo jo./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”



















