Shef kuzhine apo bos droge? italianit i gjenden para false dhe lidhje me kartelet shqiptare në Ekuador
- Korca Boom
- Sep 21
- 2 min read
Një tjetër skandal ndërkombëtar po trondit botën e krimit të organizuar dhe gastronomisë. Shefi i njohur italian i kuzhinës, Panfilo Colonico, i njohur edhe me nofkën Benny C., është arrestuar së fundmi në Ekuador, i dyshuar për përfshirje në rrjete të trafikut të kokainës dhe për lidhje të drejtpërdrejtë me mafian shqiptare.
Arrestimi i tij u krye gjatë një bastisjeje të policisë ekuadoriane në banesën e tij në Samborondón, një zonë elitare pranë kryeqytetit Quito. Gjatë kontrolleve, forcat e rendit zbuluan dhe sekuestruan shuma të konsiderueshme parash të falsifikuara, duke i shtuar akuzave edhe pastrimin e parave. Mediat italiane raportojnë se Colonico është nën hetim për bashkëpunim me organizata kriminale ndërkombëtare, përfshirë grupime të strukturuara shqiptare që veprojnë në trafikun e drogës në Amerikën Latine.
Panfilo Colonico nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Ai u bë i njohur në qershor të vitit 2023, kur u rrëmbye nga persona të armatosur, të maskuar si oficerë policie, teksa ndodhej në restorantin e tij “Il Sabore Mio” në qytetin Guayaquil, një prej zonave më të prekura nga aktivitetet kriminale në Ekuador. Rrëmbimi zgjati gjashtë ditë dhe përfshiu ndërhyrjen e Ministrisë së Jashtme italiane, e cila kërkoi ndihmë nga autoritetet ekuadoriane për lirimin e tij. Colonico u rikthye në restorant me një taksi, ndërsa dy nga rrëmbyesit ranë në pranga pak ditë më pas.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime hetimore, ai u zhvendos në Ekuador në mars të vitit 2020, pasi kishte jetuar dhe punuar për një periudhë në Kanada, para fillimit të pandemisë COVID-19. Aktiviteti i tij në Ekuador nisi me hapjen e një restoranti të specializuar në kuzhinën italiane, por hetuesit besojnë se pas fasadës gastronomike fshihej një rrjet i gjerë lidhjesh me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe rrjete kriminale shqiptare.
Në janar të vitit 2023, disa muaj para rrëmbimit, u raportua një incident me të shtëna armësh pranë restorantit të tij. Vetë Colonico e përshkroi ngjarjen si një grabitje të thjeshtë, por burime lokale dyshojnë se bëhej fjalë për një larje hesapesh për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare ndaj një grupi të përfshirë në trafikun e drogës.
Hetimet janë ende në vijim, ndërsa autoritetet ekuadoriane po punojnë ngushtë me agjencitë ndërkombëtare për të zbardhur plotësisht rrjetin ku dyshohet se ishte përfshirë shefi italian i kuzhinës dhe lidhjet e tij me krimin e organizuar shqiptar në Amerikën Latine.
“KORÇA BOOM”



















