Sherr masiv mes të miturve/ 23 të rinj procedohen penalisht, sekuestrohen shkopinj bejsbolli
Një konflikt i përmasave të mëdha mes të miturve është parandaluar në Yzberisht të Tiranës, pas ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë.
Sipas Policisë së Tiranës, 23 të rinj, të moshave 13 deri në 17 vjeç, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se do të përfshiheshin në një konflikt në rrugën “Besim Alla”.
Ngjarja u parandalua pasi Policia mori informacion se dhjetëra të mitur do të konfliktoheshin. Efektivët e Komisariatit Nr. 6 ndërhynë në zonë dhe konstatuan disa prej të rinjve të pajisur me shkopinj bejsbolli.
Në vijim u identifikuan dhe u shoqëruan edhe të miturit e tjerë që dyshohej se do të përfshiheshin në konflikt. Gjatë ndërhyrjes, Policia sekuestroi dy shkopinj bejsbolli.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, ndërsa procedimi ndaj 23 të miturve është kryer në prani të prindërve dhe psikologut.
Policia e Tiranës thekson se parandalimi i konflikteve mes të miturve mbetet një prioritet dhe u bën thirrje prindërve, mësuesve dhe personave të afërt që të raportojnë në kohë çdo shenjë që mund të çojë në përshkallëzim të konflikteve mes të rinjve.
“KORÇA BOOM”
















