top of page

Sherr mes të rinjsh në mes të ditës, arrestimi zbulon një tjetër skandal

  • 11 hours ago
  • 1 min read

Një konflikt mes dy të rinjve në Lushnjë ka përfunduar me plagosjen e një 26-vjeçari me thikë dhe arrestimin e autorit të dyshuar vetëm pak orë pas ngjarjes.


Sipas informacioneve paraprake, 19-vjeçari Denis Hoxha, banues në fshatin Stan Karbunarë, dyshohet se ka goditur me thikë 26-vjeçarin Erbion Çerraga pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. I riu i plagosur u transportua menjëherë në spital, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Pas incidentit, shërbimet e Policisë së Lushnjës nisën menjëherë kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar, duke bërë të mundur arrestimin e tij brenda pak orësh.


Megjithatë, ngjarja mori një tjetër dimension gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit. Sipas policisë, aty u gjetën dhe u sekuestruan 48.160 euro dhe 7.200 dollarë, të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara.


Përveç akuzës për “Plagosje të rëndë me dashje”, ndaj të riut rëndon edhe akuza për “Falsifikim të monedhave”, ndërsa ekspertët po punojnë për të verifikuar autenticitetin e shumave monetare të sekuestruara.


Ndërkohë, emri i të plagosurit rezulton i njohur për organet ligjzbatuese. Në shkurt të vitit 2025, Erbion Çerraga ishte arrestuar pasi dyshohej se kishte plagosur me thikë një tjetër 26-vjeçar në lagjen “Xhevdet Nepravishta” të Lushnjës, ngjarje për të cilën u procedua për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.


Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit dhe për të përcaktuar origjinën e parave të sekuestruara.

“KORÇA BOOM”


bottom of page