Sherr në një dyqan, klientja dhunohet dhe mbahet peng nga pronarët
- 1 day ago
- 1 min read
Dy persona, pronarë të një dyqani elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës në Tiranë, kanë rënë në prangat e Policisë pasi akuzohen për kanosje, dhunë fizike dhe heqje të paligjshme të lirisë ndaj një klienteje.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes pronarëve të biznesit dhe klientes, konflikt i cili degradoi në dhunë. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të dyshuarit e kanë mbajtur gruan kundër vullnetit të saj brenda ambienteve të dyqanit, duke e privuar nga liria.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit me inicialet S. A., 63 vjeç, dhe E. H., 41 vjeçe.
Policia bën me dije se gjatë ndërhyrjes së efektivëve të Komisariatit Nr. 6 për neutralizimin e situatës, të arrestuarit kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e rendit.
Sipas uniformave blu, shtetasja E. H. dyshohet se ka goditur një punonjës policie për shkak të detyrës, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit S. A. dhe E. H., pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, e kanë kanosur, i kanë hequr lirinë dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“KORÇA BOOM”
















