Shoferët kapen me shpejtësi deri në 230 km/h, Skënder Hita: Shifrat janë alarmante
- 8 hours ago
- 2 min read
Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet për shkeljet e rregullave të qarkullimit, duke përdorur radarë, dronë dhe mjete të tjera inteligjente në akset kryesore të vendit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bëri të ditur se vetëm gjatë kësaj jave janë vendosur 1100 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa janë konstatuar raste ku automjetet kanë lëvizur deri në 230 km/h.
“Përgjatë kësaj jave, mjetet inteligjente kanë vendosur 1.100 masa administrative për shkelje të tejkalimit të shpejtësisë, që variojnë deri në 230 km/h”, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë inspektoi nga afër kontrollet e Policisë Rrugore në aksin Rrogozhinë-Durrës, ku po përdoren pajisje që evidentojnë automatikisht automjetet që tejkalojnë kufijtë e shpejtësisë.
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, tha se pajisje të ngjashme janë vendosur edhe në akse të tjera kryesore, përfshirë Rrugën e Kombit.
“Është një mjet inteligjent që e mat shpejtësinë në mënyrë automatike. Kemi edhe të tjera në të gjithë territorin e vendit, të ngjashme, që janë të dislokuara në akset kryesore të vendit”, tha Vatoci.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Hita, gjatë një viti 1075 drejtuesve të automjeteve në të gjithë vendin iu është hequr leja e drejtimit pasi kanë humbur të gjitha pikët. Policia ka proceduar gjithashtu 1060 raste për drejtim automjeti pa leje drejtimi.
“Këto janë me të vërtetë shifra alarmante dhe na bëjnë të kthejmë vëmendjen dhe fokusin kryesor tek siguria rrugore”, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë paralajmëroi se kontrollet do të intensifikohen më tej, ndërsa së shpejti pritet të vihen në funksion edhe kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor. Ato do të integrohen në sistemin e Policisë për të evidentuar shkeljet në akset kryesore interurbane.
Sipas Hitës, qëllimi i kontrolleve nuk është vetëm ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve, por edhe parandalimi i aksidenteve.
“Nuk është në fokusin tonë që ne vetëm të evidentojmë shkelje, në fokusin tonë është të ndërgjegjësojmë qytetarët, të parandalojmë këto shkelje rrugore dhe të mos kemi aksidente fatale”, shtoi ai.
Ai u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit, të mos ngasin nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike dhe të respektojnë kufijtë e shpejtësisë.
“Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë”, përfundoi Hita.
“KORÇA BOOM”
















