top of page

Skandali i Postës merr kthesë të fortë, SPAK merr dosjen, kush tjetër dyshohet se është përfshirë?

4 hours ago
2 min read

Dosja hetimore për vjedhjen e 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës ka marrë një zhvillim të ri. Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ia ka kaluar çështjen Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pasi gjatë hetimeve kanë dalë dyshime për përfshirjen e personave me imunitet parlamentar dhe të një grupi të strukturuar kriminal.


Sipas të dhënave të bëra publike, në skemën e dyshuar mund të jenë përfshirë edhe ish-zyrtarë të Postës Shqiptare, të cilët aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar. Mes emrave të përmendur është edhe ish-drejtoresha e institucionit, Etleva Budini, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi mandatin e deputetes nën siglën e Partisë Socialiste.


Ndërkohë, një tjetër zhvillim lidhet me Elisabeta Matajn, pasardhësen e Budinit në drejtimin e Postës. Gjykata e Durrësit ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë ndaj saj, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.


Mataj ishte arrestuar menjëherë pas zbulimit të skandalit dhe ndodhej në paraburgim që prej datës 18 korrik. Ajo po hetohet për vjedhjen në bashkëpunim, përmes shpërdorimit të detyrës, të shumës prej 69 milionë lekësh, para të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.


Ndryshimi i masës së sigurisë erdhi pas kërkesës së paraqitur nga Mataj dhe mbrojtja e saj, të cilët kundërshtuan pretendimet e prokurorisë se provat e mbledhura gjatë hetimit rëndonin pozitën e saj procedurale.


Në të njëjtën dosje, nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë edhe ish-shefja e financës, Valbona Duni, dhe arkëtarja Paola Dana.


Kalimi i dosjes në SPAK pritet të jetë një hap i rëndësishëm për vijimin e hetimeve, ndërsa mbetet për t'u zbardhur nëse dyshimet për përfshirjen e personave të tjerë dhe të një grupi të strukturuar kriminal do të konfirmohen nga hetimet e mëtejshme.

“KORÇA BOOM”


bottom of page