Skena si në filma në Bilisht, dy persona sulmojnë automjetin në lëvizje; momenti kur fuoristrada përplas disa makina dhe largohet
- Korca Boom
- Oct 1, 2025
- 1 min read
Një sherr i rëndë është regjistruar sot në Bilisht, ku një konflikt verbal mes disa personave ka degjeneruar në dhunë fizike dhe përdorim të armëve të ftohta. Sipas burimeve të para, tre persona kanë goditur dhe dhunuar me sende të forta një shtetas 39-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime në trup.
Pas sulmit, i dëmtuari ka nxjerrë thikën dhe ka goditur njërin prej autorëve. Burime lokale konfirmojnë se mes të përfshirëve ishte edhe Trajan Çeliku, i njohur nga policia si person problematik, i cili së bashku me dy shokë të tij kishte sulmuar më herët 39-vjeçarin me inicialet G.M. Konflikti dyshohet se ka lindur për motive të dobëta, ndërsa nuk është hera e parë që palët përplasen mes tyre.
Ngjarja ka nisur paraditen e sotme me debate verbale, por Çeliku është kthyer sërish më vonë me dy persona të tjerë, duke e dhunuar fizikisht 39-vjeçarin. Në përleshjen e dytë, G.M. ka përdorur thikën duke plagosur njërin prej sulmuesve.
Nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania shihet qartë se si dy persona dalin nga automjeti dhe përpiqen të nxjerrin me dhunë shoferin.
Ky i fundit nuk ka ndaluar duke i dhënë gaz makinës dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Të plagosurit janë dërguar në spital për mjekim, ndërsa pas trajtimit mjekësor të gjithë personat e përfshirë janë shoqëruar në komisariatin e Devollit. Policia po merr në pyetje palët dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së sherrit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që konflikti të ketë lidhje me ngjarje të mëparshme mes tyre.
“KORÇA BOOM”



















