Skënderbeu–Dinamo pa tifozë, dënimi i vjetër zbraz stadiumin e Korçës
- 6 minutes ago
- 1 min read
Përballja në Korçë do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, pasi Skënderbeu duhet të shlyejë dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës në fundin e sezonit të kaluar, pas ndeshjes me Laçin.
Komisioni i Disiplinës kishte vendosur dënimin e fushës me dy ndeshje pa spektatorë dhe tashmë ky vendim do të zbatohet në sezonin e ri. Kështu, ndeshja ndaj Dinamos do të jetë e para nga dy takimet që Skënderbeu do të luajë pa mbështetjen e tifozëve në shkallët e stadiumit.
Mungesa e tifozëve është padyshim një goditje për skuadrën bardhekuqe, sidomos në një ndeshje të rëndësishme që luhet në shtëpi. Tifozët e Skënderbeut nuk do të kenë mundësi të jenë pranë ekipit dhe ta mbështesin nga shkallët e stadiumit në këtë përballje.
Skënderbeu do të kërkojë të bëjë një paraqitje sa më të mirë edhe pa mbështetjen e publikut, ndërsa pas përfundimit të kësaj sfide do të mbetet për t’u parë se si do të procedohet me ndeshjen e dytë të dënimit.
Përballja Skënderbeu–Dinamo City është programuar të luhet më 31 gusht, në orën 18:30, në stadiumin e Korçës, por këtë herë shkallët e stadiumit do të jenë të boshatisura.
“KORÇA BOOM”
















