top of page

Sula prezantohet si Kryeinspektor: Me Ramën nuk jemi njohur si armiq

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 10 hours ago
  • 2 min read

Dashnor Sula është prezantuar zyrtarisht në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në një ceremoni ku ishte e pranishme edhe ministrja Delina Ibrahimaj.


Gjatë fjalës së tij të parë pas marrjes së detyrës, ish-deputeti i Partisë Demokratike e cilësoi këtë moment si të veçantë dhe një sfidë personale e profesionale. Ai falënderoi stafin për pjesëmarrjen, duke theksuar se i konsideron të gjithë kolegë, pa dallime pozicionesh apo funksionesh.


Sula garantoi korrektësi dhe bashkëpunim institucional, duke nënvizuar se çdo punonjës do të ketë përgjegjësi të qarta në përputhje me ligjin dhe do të jetë në raport të drejtpërdrejtë me drejtuesin e institucionit.


Kryeinspektori i ri vlerësoi gjithashtu punën e paraardhësit të tij, Shkëlqim Hajdari, si dhe kontributin e stafit ndër vite, ndërsa premtoi përkushtim maksimal në ushtrimin e funksionit, duke u shprehur se do të jetë i angazhuar 24 orë në ditë për çdo problem apo informacion që lidhet me detyrën.


Në lidhje me raportet me drejtuesit politikë dhe institucionalë, Sula theksoi se, pavarësisht përballjeve politike të së kaluarës, bashkëpunimi ka pasur gjithmonë në fokus interesin e vendit.


Ai e cilësoi detyrën e re jo si privilegj, por si një përgjegjësi të madhe dhe një sfidë për të përmbushur misionin në shërbim të Shqipërisë.


“Përkushtimi do jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit deri te ora që mbyllet dhe unë ju garantoj se do jem 24 orë për cdo problem që do ketë dikush për të informuar apo për të dhëna që duhet kontakt. Padiskutim edhe me ministren dhe kryeministrin. Gjej rastin në këtë moment sinqerisht, pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kolegen Gjylameti dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të çuar diçka më para për Shqipërinë. Për mua kjo detyrë nuk është privilegj, por një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ për të përmbushur këtë mision.”-tha Sula./ Euronews

“KORÇA BOOM”


bottom of page