Tragjedi e dyfishtë, babë e bir ndahen nga jeta brenda 24 orësh
- Korca Boom
- 1 hour ago
- 1 min read
Komuniteti i Nikaj–Mërturit në Tropojë është tronditur thellë nga një ngjarje e rëndë familjare, ku familja Qokaj ka humbur dy anëtarë brenda një dite. Fillimisht u nda nga jeta 88-vjeçari Ndue Martin Qokaj, një figurë e nderuar e zonës.
Lajmin e ndarjes nga jeta e të moshuarit e bëri të ditur i biri, Besnik Qokaj, i cili vetëm një ditë më parë kishte kërkuar publikimin e njoftimit mortor për të atin.
Por tragjedia nuk ndaloi këtu. Vetëm pak orë më pas, edhe Besniku ndërroi jetë në mënyrë të papritur, dyshohet si pasojë e një arresti kardiak. Humbja e tij ka shtuar dhimbjen dhe trishtimin në familje, e cila brenda 24 orësh u godit nga dy fatkeqësi të njëpasnjëshme.
Banorët e zonës shprehen të shokuar nga kjo ngjarje e rëndë, e cila ka lënë në zi të thellë gjithë komunitetin e Nikaj–Mërturit. Rasti ka rikthyer gjithashtu në vëmendje shqetësimet e mjekëve për rritjen e vdekjeve të menjëhershme të shkaktuara nga arrestet kardiake gjatë viteve të fundit.
Në rrjetet sociale, administratorë të faqeve lokale kanë publikuar komunikimin e fundit me Besnikun, i cili pak para vdekjes së tij kishte kërkuar ndihmë për publikimin e lajmit mortor të babait. Askush nuk e kishte imagjinuar se pas 24 orësh do të njoftonin edhe ndarjen e tij nga jeta.
Familja Qokaj po kalon momente tepër të vështira, ndërsa i gjithë komuniteti lokal dhe të afërm u kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta në këtë periudhë të dhimbshme.
"KORCA BOOM"



















