top of page

Tragjedi, ndërron jetë edhe punëtori i dytë

Oct 11
1 min read

Është rënduar bilanci i aksidentit të rëndë në punë që ndodhi në fabrikat e kompanisë “Motor Oil”, në Agioi Theodoroi të Greqisë. Pak para orës 13:00 të së dielës, ka ndërruar jetë edhe punëtori i dytë i plagosur rëndë, 50-vjeçari Dorian Hysa.


Ai ishte shtruar në Spitalin e Përgjithshëm “Thriasio” në Elefsinë, në gjendje jashtëzakonisht kritike dhe i intubuar, pasi kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, 50-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.


Kështu, aksidenti tragjik ka shkaktuar dy viktima. Më 9 tetor, ndërroi jetë në spital edhe 43-vjeçari Robert Cakaj, gjithashtu me origjinë shqiptare, i cili kishte pësuar plagë të shumta dhe ishte transportuar në njësinë e djegieve të spitalit “Thriasio”.


Ndërkohë, autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit, duke u përqendruar edhe te masat e sigurisë gjatë punimeve të mirëmbajtjes.


Në kuadër të hetimeve, policia ka kryer edhe tre arrestime të tjera të drejtuesve të kompanisë “Motor Oil”, të cilët, sipas raportimit, kishin përgjegjësi në mbikëqyrjen e punimeve.


Ngjarja ka tronditur komunitetin e punëtorëve dhe ka ngritur pikëpyetje mbi kushtet e sigurisë në vendin e punës, ndërsa pritet që hetimet të përcaktojnë shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë përkatëse.

“KORÇA BOOM”


bottom of page