top of page

Tragjedia familjare: V*ret gruan dhe tenton t’i japë fund jetës

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Dec 4
  • 1 min read

Nazif Muslija, 50-vjeçari shqiptar i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Sadjide Muslija, në Ankona të Italisë, është gjetur i plagosur rëndë në një zonë malore dhe dyshohet se ka tentuar vetëvrasjen. Ai u gjet rreth orës 16:30 nga një gjuetar, i cili njoftoi menjëherë autoritetet dhe kërkoi ndihmë mjekësore. Prokuroria e Ankonës ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për të dhe ka njoftuar se do të kryhet autopsia mbi trupin e viktimës.


Sadjide Muslija u gjet e pajetë në banesën e saj më 3 dhjetor 2025, në Pianello Vallesina, provinca e Ankonës. Ajo dyshohet të jetë rrahur për vdekje, duke pasur dëmtime të shumta në kokë dhe trup. Sipas raportimeve nga autoritetet dhe mediat italiane, viktima kishte një histori të gjatë dhune në familje.


Muslija kishte precedentë të mëparshëm. Në prill të këtij viti ai ishte arrestuar pasi kishte thyer derën e dhomës me sëpatë dhe kishte kërcënuar gruan, për shkak të xhelozisë. Megjithatë, çifti ishte ribashkuar pas disa muajsh, ndërsa ndaj tij ishte vendosur që të ndiqte një program rehabilitimi, i cili nuk kishte filluar ende.


Pas vrasjes, policia italiane e shpalli në kërkim dhe kontrolloi zonat përreth. Më vonë, ai u gjet i shtrirë në tokë, pranë makinës së tij së braktisur, në gjendje kritike. Hetuesit janë rikthyer në banesën e çiftit për të sekuestruar prova të mundshme dhe për të rindërtuar ngjarjen.


Rasti ka tronditur opinionin publik në Itali, duke rikthyer në vëmendje problemin e dhunës në familje dhe mungesën e mekanizmave mbrojtës efektivë për viktimat, edhe në raste ku ka precedentë të dokumentuar.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page