TRAGJEDIA NË POGRADEC/ Nis procedimi penal për tre mjekë pas vd*kjes së 37-vjeçarejes shtatzënë
- 2 days ago
- 2 min read
Pas vdekjes së 37-vjeçares shtatzënë, Marjana Karolina Bunaj, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, Policia ka nisur procedimin penal ndaj tre mjekëve të maternitetit të Pogradecit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 30 gushtit 2026, kur Marjana Karolina Bunaj u paraqit në maternitetin e Pogradecit në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Pas ekzaminimit nga tre mjekët e maternitetit, 37-vjeçarja u nis me autoambulancë drejt Tiranës, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Por gjatë rrugës, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua dhe autoambulanca u drejtua për në maternitetin e spitalit të Elbasanit.
Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, në spital u konstatua se gruaja kishte humbur jetën.
Pas ngjarjes, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj tre mjekëve që kishin kryer ekzaminimin e 36-vjeçares.
Njoftimi i plotë i policisë:
Pogradec – Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banuese në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit.
Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në maternitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë.
Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
“KORÇA BOOM”
















