Transporti publik në krizë, nesër 40% më pak autobusë në qarkullim
- 5 hours ago
- 1 min read
Sektori i transportit publik në vend po përballet me vështirësi të theksuara financiare, ndërsa operatorët paralajmërojnë masa që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në lëvizjen e qytetarëve.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban bëjnë me dije se, pavarësisht kërkesave të përsëritura dhe takimit të zhvilluar me institucionet më 1 prill, nuk është ndërmarrë ende asnjë masë konkrete për mbështetjen e sektorit.
Sipas tyre, mungon një skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, nuk është propozuar një plan për uljen e kostove dhe nuk është përcaktuar asnjë afat për ndërhyrje institucionale. Po ashtu, nuk ka nisur rishikimi i taksave që ndikojnë drejtpërdrejt në shpenzimet operative, si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja.
Kjo situatë ka rënduar ndjeshëm gjendjen ekonomike të kompanive të transportit, të cilat paralajmërojnë se vazhdimi i aktivitetit normal po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Si pasojë, duke nisur nga nesër, pritet të ketë reduktim të mjeteve në qarkullim me rreth 40%. Kjo nënkupton më pak autobusë në shërbim dhe vështirësi të shtuar për qytetarët në lëvizje.
Operatorët u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre, duke theksuar se vendimi vjen si rezultat i mungesës së reagimit institucional.
Ata shprehen të gatshëm për bashkëpunim, por kërkojnë ndërhyrje urgjente për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në sektorin e transportit publik.
“KORÇA BOOM”
















