top of page

Tym dhe kaos në zonë, 8 të lënduar nga zjarri i fuqishëm

  • 3 days ago
  • 1 min read

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një pallat pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke shkaktuar panik dhe mobilizim të madh të forcave të emergjencës.


Operacioni për shuarjen e flakëve ka zgjatur për disa orë, ndërsa në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë dhe mjete zjarrfikëse. Për shkak të përmasave të zjarrit, ndërhyrja është mbështetur edhe nga ajri, ku dy helikopterë të tipit “Cougar” po asistojnë në neutralizimin e vatrave më problematike.


Si pasojë e situatës, tetë persona kanë mbetur të lënduar. Shtatë prej tyre janë transportuar drejt QSUT-së, ku po marrin trajtim për asfiksi nga tymi, ndërsa një efektiv i zjarrfikëses është dërguar në Spitalin e Traumës pasi është dëmtuar gjatë operacionit.


Flakët kanë përfshirë kryesisht fasadën e godinës, duke shkaktuar përhapje të shpejtë të tymit dhe rrezik për banorët. Në ndihmë të tyre janë vendosur në gatishmëri edhe katër autoambulanca, për çdo rast emergjent.


Në total, në operacion po marrin pjesë tetë mjete zjarrfikëse, gjashtë automjete të emergjencave dhe rreth 50 efektivë, përfshirë edhe forca nga ushtria dhe emergjencat civile.


Autoritetet vijojnë përpjekjet për shuarjen e plotë të zjarrit, ndërsa shkaqet e tij ende nuk janë përcaktuar.

“KORÇA BOOM”


bottom of page